Çifti sapo kishte dale nga një seancë divorci

Krimi në familje ka goditur sërish. Koço Buzo, një ish-efektiv policie qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij Liljana Buzo dhe plagosi dy persona të tjerë. Ngjarja ndodhi pak pas mesditës së kësaj të enjte në dalje të godinës së Gjykatës së Elbasanit, pasi çifti Buzo kishte përfunduar një seancë gjyqësore për proces divorci.

58-vjeçari Buzo nuk e ka pranuar faktin që bashkëshortja e tij po ndahej me të dhe sapo ka dalë nga Gjykata e ka ndjekur nga pas dhe e ka qëlluar atë me këtë armë kallashnikov, të cilën e la në rrugë menjëherë pas krimit. Në vendin e ngjarjes shenjat e plumbave janë të dukshme.

54-vjeçarja Liljana Buzo u dërgua menjëherë në spital, por ku mbërriti pa shenja jete si pasojë e plagëve të marra. Dëshmitar nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se kishin dëgjuar disa të shtëna, ndërsa mësohet se ish-efektivi i policisë ka qëlluar rreth 10 herë në drejtim të bashkëshortes së tij.

Policia bëri të ditur se si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe avokati Gëzim Toçila, i cili i është nënshtruar një operacioni dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. Gjithashtu është plagosur lehtë në dorë edhe një tjetër kalimtar i rastit, i identifikuar si Adriatik Kola, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë. 

Menjëherë pasi është njoftuar për ngjarjen, policia bëri rrethimin e zonës dhe kapjen e autorit, të cilit me vete iu gjet edhe një thikë.

Tv Klan