Një grua që vetëm pas 2 ditësh do të festonte ditëlindjen e 43-të është vrarë nga bashkëshorti i saj në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Pejë.

“Teksa ishte duke pirë kafen e mëngjesin së bashku me një cigare, mësohet se gruaja është qëlluar pas koke nga i dyshuari, bashkëshorti i saj”, raporton gazetarja e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha.

Ai më pas ka lajmëruar policinë, të cilët e kanë arrestuar dhe i kanë sekuestruar armën.

“Personi i dyshuar është vetëdorëzuar në stacionin policor, i është sekuestruar arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe njëkohësisht është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit”, thotë zëdhënësi i Prokurorisë së Rajonit të Pejës, Shkodran Nikqi.

Edhe në vitin 2021 gruaja kishte raportuar bashkëshortin për dhunë në familje. Tv Klan mëson se për këtë rast gjykata e kishte gjobitur autorin me 400 euro.

Çifti mësohet se kanë tre fëmijë.

“E ndjera për më shume se 20 vjet kishte punuar si asistente stomatologe në një nga qendrat e mjekësisë familjare në Pejë”, shton gazetarja Dalloshi Berisha.

Kjo është vrasja e dytë e grave brenda 5 ditësh në Kosovë. Të premten e kaluar një grua u privua nga jeta nga ish-bashkëshorti i saj në Ferizaj.

Tv Klan