Rreth një muaj më parë, emisioni “Stop” në Tv Klan trajtoi problematikën e mosmarrjes së bursave nga nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Gjergj Canco”.

E njëjta gjë po ndodh edhe me nxënësit e shkollës së mesme të ndërtimit “Karl Gega”. Në këtë shkollë, nxënësit nuk kanë bursat dhe kjo për shkak të moskoordinimit mes institucioneve. Kjo për shkak se shkollat funksionojnë me vit akademik, pra nga Shtatori në Qershor, ndërsa Ministria e Financave me vit kalendarik.

Nxënësit thonë se bursat i marrin gjithmonë në fund të vitit akademik. Kurse nëndrejtoresha e shkollës, Orgesa Hoxha thotë se shkresa i ka vajtur Ministrisë së linjës dhe bashkisë, dhe tani çdo gjë është në dorën e këtyre institucioneve.

“Ne dërgojmë një listë paraprake që është në Shtator për nxënësit që do përfitojnë bursën për vitin shkollor 2018-2019. Numri nga viti i dytë deri në vitin e katërt është 244. Kurse për nxënësit e vitit të parë, duke parë sa larg janë, rreth që vijnë, sepse ka kritere, kemi menduar 198 për vitin e parë. Vendimi që ka dalë në datë 26.12.2018 na ka ardhur dje me postë. Në datën 18 është lënë afati i fundit i listës bashkë me dokumentacionin përkatës të çdo nxënësi për të përfituar bursën. Për pjesën e fondit kur do dali dhe si do dali, nuk kemi një përgjigje konkrete dhe zyrtare”

, shprehet nëndrejtoresha.

Por, përveç bursave, gazetarja e “Stop” vuri re se në këtë shkollë nxënësit përballen edhe me mungesën e ngrohjes dhe të dritave.

“Nuk ka as ngrohje, as drita. Duhet të rregullohet sistemi i ngrohjes, edhe dritat gjithashtu. Ndonjëherë edhe kemi pezulluar mësimin, nuk kemi kushte për të shkruajtur. Kemi këto kaldajat e vogla, por nuk ngrohin shumë. Sistemi i ngrohjes në shkollën tonë duhet përmirësuar”,

thotë nxënësit.

Ndërsa nëndrejtoresha shprehet se sipas rregullores, kaldaja ndizet nga mesi i muajit Nëntor deri në Shkurt 4-5 orë në ditë.

“Na ka ardhur një ligj që thotë nga data 15 Nëntor deri në 28 Shkurt, mesatarja e orëve për të cilat vihet në punë kaldaja është 4-5 orë në ditë, duke u ndezur 1 orë para fillimit të mësimit”.

Sa i përket mungesës së energjisë elektrike, nëndrejtoresha thotë se ky problem po zgjidhet, pasi ditën që gazetarja ndodhej në atë shkollë, aty ishin edhe punonjësit e OSHEE-së.

“Për pjesën e dritave kanë ardhur personat përgjegjës të OSHEE. I ke poshtë, mund t’i takosh dhe mund të flasësh”. /tvklan.al