Jemi pak a shumë e njëjta moshë dhe Basha nuk ka asnjë thinjë në flokë…”

Ervin Bushati renditet i treti në listën e kandidatëve për deputetë në radhët e Partisë Socialiste në Tiranë, për zgjedhjet e 25 Prillit. Në një intervistë për “Opinion”, Bushati e quan privilegj, por edhe sfidë që të përfaqësojë qarkun më të madh të Shqipërisë.

“Si Kryetar i Partisë Socialiste Tiranë unë e quaj privilegj, nder dhe sfidë të përfaqësoj qarkun më të madh të Shqipërisë. PS ka qenë gjithmonë forcë e parë në Tiranë dhe ne kemi vendosur një standard me veten, kemi marrë 18 mandate në zgjedhjet e kaluara dhe nuk mund të biem poshtë këtij numri. Aq më tepër që kemi një përgjegjësi të trefishtë. Partia Socialiste është partia më e madhe në vend, është mazhorancë sot dhe PS patjetër që në këto kohë pandemie dhe pas tërmetit ka një sfidë të madhe me shoqërinë.”

Angazhimin në politikë Bushati e konsideron punën e ëndrrave të tij.

“Jam diplomuar në SHBA, pasi u ktheva në Shqipëri mendova të merrja pjesë në politikë dhe të jepja sadopak atë vizionin kontributin tim pranë PS. Kam 15 vite në Partinë Socialiste, ky është mandati i tretë si deputet dhe mendoj që kam një sfidë, përgjegjësi dhe privilegj. Është edhe puna e ëndrrave të mija. Jam me të vërtetë krenar për PS, vendin dhe gjithçka që po mundemi të bëjmë bashkë si shoqëri.

Sa i përket kundërshtarit politik, Bushati nuk e kursen ironinë…

Njësia nr.8 ka qenë një njësi ku Partia Demokratike zakonisht fitonte para se të ishte z.Basha kryetar. Tani që është Basha kryetar i PD humbet edhe në njësinë e vet. Në fakt nëse do të ishin disa gjëra që mendoj se i bën mirë është që kujdeset mirë për veten. Jemi pak a shumë e njëjta moshë dhe z.Basha nuk ka asnjë thinjë në flokë merret mirë me veten. Kjo më bën të mendoj se të gjithë duhet të kujdesemi pak më shumë me veten. Z.Basha zgjohet pak më vonë, është më i qetë, pret radhën. Këto janë virtytet e një njeriu në opozitë që mendoj se i shkojnë.

Në fund Bushati flet edhe për familjen e tij.

“Edhe sot më 9 Mars hero i vërtetë është gruaja, ne kemi 3 çuna të cilët njëri pas tjetrit janë një sfidë më vete. Të rrisësh 3 djem është e vështirë. Hero i vërtetë në familjen time është ime shoqe, është ajo që më ndihmon shumë, pa të do të ishte e pamundur që unë të merresha me politikë. Këto kohë deri më 25 Prill patjetër jemi të angazhuar me fushatën dhe politikën, por në datën 26 do të merrem më shumë me familjen.” /tvklan.al