Atë që deklaroi pak ditë më parë kryeministri grek Aleksis Tsipras, se Shqipëria dhe Greqia janë në fazën e përmbylljes së bisedimeve për delimitimin e zonave detare dhe paketën e çështjeve të mbartura nga Lufta e Dytë Botërore e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Çështjet e fundit që presin të marrin dakordësinë e palëve janë vetëm tre.

 “Negociatat s’kanë përfunduar, jemi në proces bisedimesh. Kemi draft-marrëveshje në diskutim për zonat detare dhe një për piramidat dhe menaxhimin e incidenteve kufitare. Me këto tre marrëseje i mbyllim detin dhe tokën.”

Për finalizmin e negociatave vështirë të thuhet një kohë nga pala shqiptare, ndonëse komisioneri Han ishte më optimist në parashikimin e tij sesa Ministri Bushati.

“Se konfirmoj dot nëse do përfundojnë brenda dy javësh, është një proces që do kërkojë kohën e vet.”

Fjala e fundit në këtë proces i takon Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të cilin ministri i Jashtëm thotë se nuk ka asnjë arsye nga ana e kreut të shtetit për bllokim të autorizimit për marrëveshjen.

“Për çdo raund bisedimesh Ministria e Jashtme i ka bërë një raport me shkrim Presidentit dhe Kryeministrit. Kur të mbyllen negociatat në planin teknik më pas do i kërkojmë Presidentit autorizimin për firmosjen. Me presidentin kemi komunikim institucional dhe do shkojë i tillë deri në fund të këtij procesi s’ka arsye për protagonizëm dhe bllokim të këtij procesi.”

Këto deklarata Ministri Bushati i bëri pas raportimit në Komisionin e Jashtëm parlamentar ku ishte thirrur në një seancë dëgjimore lidhur me procesin analitik që Shqipëria do t’i nënshtrohet në kuadër të çeljes së negociatave Qershorin e vitit të ardhshëm.

Tv Klan