E radhës që shkruan për vendin tonë dhe turizmin në Shqipëri është mediumi amerikan “Business Insider” që ka në fokus dy turistë amerikanë, të cilët kanë vizituar Shqipërinë.

“Ne jemi amerikanë që kemi vizituar 47 vende. E preferuara jonë është një perlë e nënvlerësuar që e donim aq shumë saqë u transferuam atje, ajo është Shqipëria”, kështu shprehen Alicia dhe Nathan, të cilët janë një çift bashkëshortësh që udhëtojnë sëbashku kudo.

Ata shprehen se kanë udhëtuar në pjesën më të madhe të Amerikës Qendrore dhe Jugore, disa pjesë të Afrikës, një pjesë të mirë të Evropës dhe një pjesë të Azisë Juglindore dhe Lindore, sipas të përditshmes amerikane “Business Insider”, por Shqipëria ka qënë me unikja për ta.

Shqipëria është absolutisht e mrekullueshme dhe ende e paprekur nga turizmi masiv, veçanërisht krahasuar me destinacionet e tjera evropiane si Barcelona, ​​Parisi, Londra, Roma, madje edhe Praga.

2 amerikanët ndalen edhe tek ushqimi shqiptar, që është një nga të preferuarit e tyre. Por ajo që u ka lënë mbresa është edhe mikpritja e shqiptarëve.

Turistët amerikanë shprehen në intervistën e dhënë për “Business Insider” se vendi ynë ka natyrë mahnitëse dhe mot mjaft të mirë. Riviera Shqiptare me një shtrirje bregdetare përgjatë detit Jon me ujëra blu të pastra kristal është zona më mahnitëse në jug të vendit.

Më në brendësi të artikullit të mediumit amerikan “Business Insider” shkruhet se vendi ynë ka mjaft atraksione turistike mahnitëse si Parku Kombëtar i Thethit, Mali i Korabit apo ai Tomorrit. Malet me borë janë të shkëlqyera për shëtitje.

Sipas çiftit amerikan Alicia dhe Nathan, që janë transferuar në Tiranë në Shkurt të vitit 2023, të jetosh në Shqipëri është shumë më lirë se në shtete të tjera europiane, por dhe shumë më i përballueshëm se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Klan News