Goditja e të ardhurave në arkën e shtetit nga rënia e Euros do të detyrojë qeverinë që të ndryshojë për herë të dytë buxhetin e këtij viti.

Burime pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë thonë se në muajin Dhjetor parashikohen që të bëhen disa rregullime në kahun e të ardhurave dhe shpenzimeve, ku prioritet do të ketë programimi i saktë i parave që do të vijnë nga tatimet e doganat dhe ruajtja e nivelit të defiçitit buxhetor.

Por nëse qeveria do të angazhohet që të mbajë të pandryshuar, në 2% të prodhimit kombëtar nivelin e defiçitit, atëherë do të detyrohet të shkurtojë disa fonde në sektorë të ndryshëm të institucioneve.

Burimet thonë se ende nuk ka filluar hartimi i listës së projekteve që mund të preken nga ndryshimet në buxhet, pasi pritet përpunimi i treguesve fiskalë për 10 mujorin e këtij viti, ndërsa financat janë duke u konsultuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Nga parashikimet e bëra në relacionin e buxhetit të vitit 2019, nga të ardhurat pritet të mungojnë 79 milionë Dollarë, ndërsa vetë ministri i Financave ka deklaruar se vlera mund të arrijë edhe në 90 milionë Dollarë, duke bërë si shkak kryesor ndryshimin e kursit të këmbimit.

Përqindjen më të ulët të realizimit pritet ta ketë tatimi mbi vlerën e shtuar, i ndjekur nga akciza dhe tatimi mbi fitimin.

Krahas goditjes së të ardhurave, qeveria ka përballë dhe një faturë prej 24 milionë Dollarësh për detyrime të krijuara këtë vit në projektet e infrastrukturës.

Tv Klan