Buxheti 2024 miratohet mes kaosit në Kuvend
Opozita ndez tymuese. Rama: Kanë prekur fundin
Në parlamentin shqiptar është vendosur një rekord i ri, ai i miratimit të projektbuxhetit dhe paketës fiskale në vetëm 4 minuta e 30 sekonda, ndërkohë që për çdo vit, shqyrtimi i tyre ka kaluar pas seancash maratonë që kanë zgjatur për dy ditë.
Opozita ishte përgatitur për ta bllokuar këtë seancë ndërsa shumica për të kundërtën, për ta miratuar projektbuxhetin me çdo kusht.
Pavarësisht tymueseve të shumta, që kësaj here rrezikuan që të digjnin sallën e seancave plenare, pasi njëra prej tyre shpërtheu në flakë, kryeparlamentarja kaloi çdo akt me shpejtësi pa parë nëse po merrnin shumicën e kërkuar pasi tymi pengonte pamjen e qartë.
Përshëndetjes së Ramës deputeti Noka iu përgjigj duke i hedhur një flakadan që nuk goditi dot në shenjë…
Opozita e cila që në hyrje në sallën e Kuvendit u përlesh me punonjësin e Gardës, kontestoi votimin si antikushtetues.
“Ato flakadanë dogjën në parlament procedurën antikushtetuese të shumicës”.
Shumica mendon se kjo e sotmja ishte përgjigja e vetme që meriton opozita që po provokon skena të tilla në parlament.
“Nuk do ta lemë Shqipërinë pa buxhet, sepse nuk kemi krizë ne, krizë ka opozita”, tha Çuçi.
Sipas saj, buxheti nuk po kalon pa transparencë pasi është shqyrtuar me hollësi në komisionet parlamentare.
Kryeministri në një postim në rrjetet sociale komentoi atë çka ndodhi në parlament.
“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”.
Opozita deklaron se do të vijojë aksioni i saj, duke ndjekur dhe hapa të tjerë institucional.
Tv Klan