Votimi i Projektligjit për buxhetin e vitit 2021 të Kosovës pritet të bëhet të hënën, më 28 dhjetor, në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare.

Zyra për media e Kuvendit të Kosovës tha përmes një komunikate se dy pika të rendit të ditës janë të parapara për seancë: votimi i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 dhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Projektligji për buxhetin e vitit 2021 është dërguar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë tashmë në largim dhe ndodhet në shqyrtim te Komisioni për buxhet dhe transfere.

Kuvendi i Kosovës pritet të shpërndahet, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur javën e kaluarjokushtetuese mënyrën se si është zgjedhur Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë kanë bërë thirrje që të mos shpërndahet Kuvendi pa u miratuar buxheti.

Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është data 31 dhjetor.

Nëse buxheti nuk miratohet deri në këtë datë, në bazë të procedurave ligjore, Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal./REL