Më shumë se gjysma janë për vendime gjyqësore të papaguara

Buxheti i shtetit është futur sërish në gangrenën e detyrimeve të prapambetura, ku në shumicën e borxheve që institucionet kanë ndaj palëve të treta, dominojnë vendimet e gjykatave, pjesa më e madhe për pushime nga puna.

Në total për 3 muajt e parë të vitit, stoku i detyrimeve që shteti ka ndaj bizneseve dhe qytetarëve arrin në 65 milionë dollarë, ku 14.2 milionë dollarë janë detyrime të reja të krijuara në periudhën e muajve Janar-Mars 2020.

Nga 65 milionë dollarë në total, më shumë se gjysma, 40 milionë dollarë, janë pagesa që buxheti duhet të japë për vendime gjyqësore të fituara nga palë që kanë paditur autoritetet shqiptare.

Shifrat më të larta të kësaj fature, i mban Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 8.9 milionë dollarë vendime gjykatash, ndërsa 4.9 milionë dollarë janë vendime gjyqësore të fituara kundër Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Edhe Ministria e Mbrojtjes ka akumuluar fatura të papaguara në masën e 12.8 milionë dollarëve, pjesë e programit të Emergjencave Civile e mbartur në periudhën e tërmetit dhe një pjesë e krijuar gjatë pandemisë.

Borxhe në masën e 11.5 milionë dollarëve ka krijuar edhe Ministria e Brendshme, shumica e të cilave lidhen me shpërblimin e munguar të lindjeve, shpenzime udhëtimi, pagesa për orë shtesë pune, uniforma dhe parkim automjetesh.

Drejtoria e Tatimeve ka akumuluar 6 milionë dollarë vendime gjyqësore për rimbursim të TVSH-së gjatë pjesës së parë të vitit, e cila nuk u është dhënë subjekteve private.

Kjo është hera e parë që pjesën e luanit në strukturën e detyrimeve të prapambetura nuk e kanë punimet në rrugë, por shpenzimet për vendime pushimesh nga puna dhe fonde që hyjnë në zërin e shpenzimeve operative të buxhetit.

Tv Klan