Verdho: Punimet në rrugë nuk u ndalën gjatë pandemisë

Pavarësisht bllokimit të një pjese të mirë të aktivitetit ekonomik dhe punëve publike, ndërtimi i rrugëve nuk është ndalur gjatë kohës së pandemisë. Ergys Verdho, drejtor i Autoritetit Rrugor thotë në një intervistë për Televizionin Klan se punimet në të gjithë akset kombëtare kanë qenë në përputhje me grafikun e parashikuar, ndërsa në disa raste, siç është Unaza e Madhe e kryeqytetit, mungesa e trafikut i ka përshpejtuar ato.

“Investimet nuk janë bllokuar. Janë parashikuar autorizimet që mjetet e rënda të lëviznin dhe mospasja e trafikut ka ndihmuar për ecurinë e shpejtësisë së veprave. Jemi 1 muaj nga fillimi i punimeve në sheshin Shqiponja, është bërë shpronësimi në gjithë gjurmën dhe Covid-19 na bëri të mundur të punojmë pa trafik.”

Përpara se të hapet sezoni turistik këtë vit, By Pass-i i Fierit do të jetë i hapur tërësisht për automjetet në të dyja kahet, çka do të shkurtojë në vetëm 20 minuta rrugën Fier-Vlorë. Është hedhur 90% e asfaltit ndërsa po punohet me 18 orë në ditë, në mënyrë që vepra të jetë e përfunduar, pas 9 vjetësh.

“Te By Pass-i i Fierit po shtrohen 1000 ton asfalt në ditë, po punohet 18 orë. Mallrat e importit ngadalësuan ecurinë e punimeve. Them që shumë shpejt pa nisur ende sezoni turistik rruga do të hapet dhe do të bëhet e aksesueshme.”

Edhe ecuria e punimeve të By Pass-it të Vlorës nuk është ndalur gjatë pandemisë. Aktualisht po hidhet asfalti në kilometrin e parë, ndërsa janë kryer 20% e punimeve të pjesës së mbetur nga rruga, që prej largimit të kompanisë Serenissima, që nisi punimet thuajse 1 dekadë më parë.

“Po ecim me ritme të larta. Zgjidhëm problemin me Kaninën, që të kishim aksesin në vepër. Ka nisur asfalti në kilometrin e parë të By Pass-it afër Transballkanikes.”

Shkurtimet në buxhetin e shteti nuk kanë prekur rrugët që janë në ndërtim, ndërsa që në Maj, ARRSH lejohet të nisë prokurimin e investimeve të parashikuara në fondet e këtij viti, të cilat lidhen me rrugën në Porto Romano dhe mirëmbajtjen e akseve kombëtare. Këshilli Teknik ka miratuar zgjidhjen inxhinierike për tunelin e Murrizit, ndërsa po punohet për projektimin e pjesës tjetër të Unazës së Madhe nga Sheshi Shqiponja te Bulevardi i Ri.

Tv Klan