Kanë vijuar në rrjetet sociale replikat mes opozitës dhe kryeministrit Rama pas deklaratës së këtij të fundit në mediat italiane se e kishin arrestuar në Bolonja në vitet ’90.

Ish-deputeti Oerd Bylykbashi thotë se kjo deklaratë e kryeministrit është e shkruar e zezë mbi të bardhë dhe ka vetëm dy mundësi: ose Rama ka gënjyer median italiane në delir e sipër, ose ka gënjyer formularin e dekriminalizmit.

“Alo Edi, pa u nervozuar dhe pa batuta bajate duhet të përgjigjesh për këtë. Je gënjeshtar delirant apo të duhet të dorëzosh mandatin si çereku i deputetëve të partisë tënde”, shkruan Bylykbashi.

Më herët, ish-deputei i kërkoi Ramës të sqaronte këtë deklaratë të tij. Por në një reagim, kreu i qeverisë tha se kishte sjellë një shembull në median italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90.

“Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre”, shkruante Rama në Twitter. /tvklan.al