Ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale deklaron se KQZ-ja dhe Policia e Shtetit kanë urdhruar për të ndaluar aktivitetin e opozitës në media dhe në protesta. Sipas Bylykbashit është i paligjshëm urdhri i policisë për të ndalur protestat e opozitës gjatë ditës së nesërme si dhe urdhri i KQZ për të ndaluar median të pasqyrojnë aktivitetet e PD-së.

”Dy repartet e Partisë Socialiste, KQZ dhe Policia e Shtetit kanë dhunuar të drejtat kushtetuese të shtetasve që nuk pranojnë farsën antikushtetuese të 30 Qershorit.

Bordi i Monitorimit të Mediave i KQZ, dje me 28 Qershor, ka paralajmëruar zyrtarisht mediat që bashkë me aktivitete zgjedhore, të mos transmetojnë ‎asnjë aktivitet politik gjatë heshtjes zgjedhore. Kodi Zgjedhor, neni 77, përcakton qartë që ndalimet e heshtjes zgjedhore vlejnë vetëm për aktivitetet elektorale të SUBJEKTEVE ZGJEDHORE dhe për askënd tjetër.

Policia e Shtetit, po dje më 28 Qershor, kërcënoi me burgim nëse zhvillohen tubime të partive politike dhe shtetasve të lirë që nuk marrin pjesë në zgjedhje, në periudhën e heshtjes zgjedhore dhe ditën e votimit. Policia e Ramës i cilëson të paligjshme dhe si cenuese të të drejtave të votuesve socialiste këto tubime proteste për mbrojtjen e të drejtës për të zgjedhur. Policia kërkon të ndaloje çdo tubim proteste edhe nëse janë larg ambienteve të votimit të Partisë Socialiste.

Partitë politike që nuk marrin pjese në votime, sa kohë nuk bëjnë fushatë për partitë e tjera, veprojnë mbi bazën e Kushtetutës Ligjit për Partitë Politike dhe Ligjit për Tubimet. Kodi Zgjedhor dhe periudha zgjedhore nuk pezullon të drejtat e tjera kushtetuese të shtetasve. Media ka liri të plotë të transmetoje lajme mbi aktivitete politike që nuk janë fushatë e subjekteve zgjedhore. KQZ dhe Policia, dy vegla të Kryeministrit, po dhunojnë të drejtën kushtetuese të lirisë së shprehjes, lirisë së medias, lirisë së tubimit dhe të drejtat që Kushtetuta dhe ligji u njohin partive politike”./tvklan.al