Sipas Partisë Demokratike, propozimi i tyre për listat e hapura i jep mundësinë zgjedhësve që të bëjnë në mënyrë të plotë renditjen e kandidatëve që votojnë.  

Ish-deputeti Oerd Bylykbashi u shpreh gjatë emisionit “Opinion” këtë të enjte se opozita është për lista të hapura 100%. Sipas propozimit të PD-së lista duhet të jetë në mënyrë alfabetike dhe jo e përcaktuar nga partia.

“Deklarimi publik ka qenë në emër të opozitës që lista duhet të jenë 100 të hapura. Pra hapja duhet të jetë e vërtetë. Ajo që u kalua në Kushtetutë nuk jep listat të hapura. Duhet që në propozimin tonë lista të jetë e hapura 100% që zgjedhësi të ketë mundësi për renditjen e plotë dhe të lirë me votë të kandidatëve. Propozimi jonë thotë që kandidatët të jenë të renditur në mënyrë alfabetike. Nuk ka renditje të përcaktuar nga partia, por është alfabeti”, tha Bylykbashi.

Përfaqësuesi i opozitës në Këshillin Politik, u shpreh se zgjedhësit do të votojnë një emër në fletën e partisë. Kryqi që një zgjedhës vendos për emrin e kandidatit shkon edhe për partinë sipas Bylykbashit. Nëse një zgjedhës vendos dy kryqe në kandidatë të ndryshëm, atëherë vota sipas tij do të llogaritet vetëm për partinë.

“Në këtë rast varet nga fletët e votimit, do të jetë e nevojshme të mjaftoi vetëm kandidatin nëse emrat janë në listë. Në momentin kur zgjedhësi vë kryqin te kandidati vota shkon edhe për partinë. Nëse vendosen dy kryqe për dy kandidatë të ndryshëm, i shkon vetëm partisë”, tha Bylykbashi.

Por si do të bëhet llogaritja e votave që janë fituar nga partia dhe kandidatët?

“Në fund do të ketë një numër votash që do të jenë vetëm të partisë dhe një numër votash i mbledhur nga kandidatë të veçantë. Totali i mbledhur sëbashku jep numrat e votave të partisë. Le të themi që ka fituar pesë mandate, atëherë të gjithë kandidatët do të renditen nga ai me shumë vota, tek ai me më pak vota”, tha Bylykbashi.

Ish-deputeti u shpreh se nuk ka mundësi që të ndodhë që të votohet vetëm për një emër në listë. Kjo pasi për zona të ndryshme zgjedhore do të ketë kandidatë dhe garë.

Bylykbashi u shpreh se lista e votimit do të jetë e ndarë për 12 qarqe./tvklan.al