Mediat raportuan sot, se dy grupe studentësh u përplasën fizikisht në ambientet e universitetit të drejtësisë. Por “Stop” sjell sot në vëmendje moszgjidhjen e problemeve të studentëve. Evangjeli Lleshi, është studente e vitit të pestë në mjekësi, e transferuar në universitetin publik, pas mbylljes së “Vitrinës”.

Ajo thotë, se në privat paguante 900 Euro në vit, ndërsa në shtet paguan 2 milionë e 350 mijë Lekë në vit. Në fillim, kësaj kategorie iu tha, se do të bënin orë ekstra e do të kishin kushte ekstra.

Studentja:

Përshëndetje, unë jam Evangjeli Lleshi, jam studente e viit të 5 në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme. Kam probleme me tarifën, tarifa ime ndryshe nga studentët e tjerë është 2 milion e 350 mijë Lekë, sepse kam qenë studente e Universitetet privat të Vitrinës në vitin 2014. Maksimumi që kam paguar atje ka qenë 900 Euro. Në vitin 2014 u mbyllën këto universitet na thanë që mund të transferoheshim në privat, ose në publik. Na u tha se ju do keni tarifë ekstra, pasi do të kemi pedagogë ekstra, orë mësimi ekstra, çdo gjë ekstra. Transferimi nga privati ka një tarifë shumë të lartë. Pse duhet të paguaj unë këtë tarifë ekstra, kur ulem në të njëjtat auditore, mësoj të njëjtat lëndë? Ky është viti i 5-ë dhe kam paguar deri tani 10 milionë Lekë.

Por sot trajtohen si të gjithë dhe paguajnë më shumë. Evangjelia thotë, se me vendim qeverie, të gjithë studentëve iu përgjysmua tarifa, por atyre, që kanë ardhur nga privatët, jo.

Gazetarja: Nga kjo protesta e studentëve, kjo shuma 2 mijë Euro, besoj se do të këtë pasur ndonjë ulje?

Stidentja, Evangjeli Lleshi:

Unë bashkë me shokët e mi që jemi 58 studentë, kemi qenë në protesta dhe kemi kërkuar që të trajtohemi njësoj. Mirëpo, nga kjo protestë nuk do të përfitojmë as përgjysmimin. Studentët e Fakluteteve private të mbyllura nuk do të përfitojnë ulje tarifimi, aq më tepër barazi. Na u tha që ne kemi pranuar një kontratë. Ndërkohë që unë nuk kam firmosur asnjë kontratë. E vetmja gjë që unë kam bërë në vitin 2014 ka qenë një kërkesë regjistrimi dhe jo tarifimi. Tarifa ka dalë pasi ne jemi regjistruar, me vendim të Këshillit të Ministrave. Na është quajtur dhe si fakultet i dytë, ndërkohë që unë se kam mbaruar akoma të parin. Dhe sikur unë të kisha firmosur një kontratë 2 milionë e 350 mijë Lekë, po studentët e shtetit që kanë zgjedhur tarifën 450 mijë Lekë, nuk po ju përgjysmohet? Ne nuk jemi në të njëjtin nivel? Pse ne nuk futemi tek i njëjti tarfim. Nuk është faji im  që u regjistrova tek Vitrina, është faji i shteti që i la të hapeshin dhe më pas i mbylli. Përderisa e lejo vetë të hapen dhe të mbyllë, pse unë duhet të vuaj pasojat.

Në sekretarinë e universitetit shprehen, se për këtë kategori po diskutohet.Por nga ana tjetër administratori i fakultetit, tha, se në takim me kryeministrin u vendos, që tarifa për këtë kategori, të mos ndryshojë.

Studentja- Si kalove?

Sekretarja- Mirë!

Studentja-Unë jam studente e transferuar nga privati. Për neve, çfarë është vendosur?

Sekretarja-Akoma s’ka ardhur ndonjë udhëzim i veçantë.

Studentja-Po as 50%?

Sekretarja-Po diskutohet. Duhet të na vijë urdhri me shkresë nga Universiteti, vlerën tuaj. Ta shikojmë, se çfarë do të bëhet! Në momentin, që do të na vijë shkresa nga Rektori, që nga kjo datë në këtë datë, do të bëhet arkëtimi i lekëve, atë shkresë do ta vëmë në web, dhe ju do ta shikoni. Tani edhe për ju po diskutohet, mesa di unë.

Lidhur me tarifa, studentja bisedon dhe me Administratorin e Fakultetit

Administratori- Fatkeqësisht, unë kam përgjigje negative! Nuk përfshiheni!

Studentja- Nuk përfshihemi tek përgjysmimi, apo nuk përfshihemi fare?

Administratori-Fare!

Studentja- Domethënë, do të paguajmë 2 milionë e 350 mijë Lekë?

Administratori- (E pohon)

Studentja– Po Kryeministri tha, që të gjithë studentët, do t’i përgjysmohet. Për çfarë arsyeje?

Administratori- Studentëve. Ju keni një kontratë.

Studentja- Ne jemi studentë.

Administratori- E kemi diskutuar këtë çështje në mbledhjen, që u bë në Ministrinë e Arsimit më 15 Janar, në prezencë të Drejtorit juridik, të financës, të zëvendësministres e tërri-vërri…nuk përfshihet! Ka një kontratë të nënshkruar, në momentin, kur është mbyllur ai institucion, dhe kanë dashur të vijnë këtej, në atë kontratë…

Studentja- Kur? Me kë është bërë kjo kontratë, se neve nuk na kanë dhënë një kontratë.

Administratori- Tani, kjo është pyetje tjetër.

Studentja- Personalisht, nuk më kanë dhënë ndonjë kontratë, për të firmosur.

Administratori- Nejse, mos më kërko mua këtë…ta thashë që në fillim, që më duhet të ta jap këtë lajm. S’mund të të mbaj dot me shpresa! Dhe në mbledhjen, që u bë me Kryeministrin të premten, që ishte edhe Ministrja edhe e gjithë Qeveria, po ky muhabet u hap, nuk përfitojnë!

Studentja- Arsyeja?

Administratori- Është një rast i veçantë, e kanë pranuar vetë që në fillim.

Studentja- Po edhe studentët e Fakultetit, që jeni këtu, vetë e kanë pranuar tarifën 450 mijë lekë, por kërkojnë përgjysmim, dhe iu përgjysmua.

Administratori- Përgjigja është jo! Është e rëndë ta them kështu, po kjo është e vërteta.

/tvklan.al