Vizita e parë e Gent Cakajt si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, nisi me shigjetime për shefin e diplomacisë shqiptare. Homologu serb, Ivica Daçiç nuk e priti mirë praninë e tij në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre kandidate, të zhvilluar në Bukuresht. Në përpjekje për të zënë ngushtë Cakajn, Daçiç ankohet për zgjedhjen e bërë nga Kryeministri Rama.

“Përse Kosova ka dy ministra të Jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga Ministri i Jashtëm, Edi Rama”.

Por këto provokime nuk e kanë gjetur të papërgatitur Ministrin e Jashtëm shqiptar, i cili nuk vonoi t’i kundërpërgjigjet homologut të tij.

“Në fakt, z.Ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy dhe ka një fjalë që thotë, nuk ka dy, pa tre! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po, jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë”.

Me gjasë, përgjigja flakë për flakë e kryediplomatit shqiptar e ka bërë të reflektojë gjatë Daçiçin, i cili për pak sa nuk humbi edhe foton e rastit.

Ministri Cakaj në Bukuresht zhvilloi takime me disa homologë, ku theksi u vu tek detyrat që i janë lënë Shqipërisë deri në hapjen e negociatave.

“Kemi marrë një notë skajshmërisht pozitive për veprimtarinë e deritashme të institucioneve të Shqipërisë në procesin e përafrimit të legjislacionit dhe në fund po ashtu kemi diskutuar për domosdoshmërinë e thellimit të komunikimit politik për të arritur objektivin e synuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në vitin 2019”.

Tv Klan