Prej dy ditësh në rrugët e Elbasanit vihet re një prani e shtuar e forcave të policisë. Pas përplasjes së forcave të policisë me një grup personash me makina të blinduara mbrëmjen e së hënës, në qytet po zhvillohet një operacion i gjerë për kapjen e autorëve, por edhe ndalimin e personave të tjerë me rekorde kriminale.

Në Drejtorinë e Elbasanit, ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Cako. Mësohet se ai ka kërkuar të njihet me situatën në detaje si dhe me ngjarjen e ndodhur.

Në një mbledhje të kryer me drejtues dhe efektivë të policisë lokale, Çako ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, arrestimin e të gjithë personave të dyshuar si dhe identifikimin dhe mbajtjen nën kontroll të të gjithë personave me rekorde kriminale. Kreu i Policisë së Shtetit ka kërkuar që operacioni për identifikimin e pasurive të personave apo grupeve kriminale të vijojë më tej, po ashtu edhe bllokimi i mjeteve luksoze që dyshohet se mund të jenë trafikuar nga jashtë, apo qe mund të lëvizin pa dokumentacionin përkatës.

Operacioni vjen dy ditë pas incidentit ku një “Audi” i blinduar përplasi automjetin e zv/drejtorit të policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi, pranë tregut ushqimor. Automjeti u identifikua në pronësi të Petrit Çelës, i cili është edhe pronar i tregut ushqimor. Në pranga u vunë 3 persona ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.  

Tv Klan