Në gjyq, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, njoftuan se me 11 Shkurt, duke filluar nga ora 11:00, do të mbahet konferencë për ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë që po gjykohen në gjykatën ndërkombëtare.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se në aktakuzën për Thaçin janë gjashtë pika kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte.

Seanca do të mbahet ndaj katër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-Presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe të tjerëve.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.

Në aktakuzën e konfirmuar për ish-udhëheqësit e UÇK-së thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Personat e përmendur në aktakuzë konsiderohen përgjegjës për vdekjen e 100 personave.

Klan News