Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera që asiston procesin e Vettingut në Shqipëri, thotë se janë të papranueshme sulmet ndaj këtij procesi. Në një editorial online, ajo nënvizon se disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe janë të gatshëm ta pengojnë atë.

“Duke pasur parasysh interesin e lartë publik, është e rëndësishme të sigurohet monitorimi nga afër i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive në progresin e tij. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta dhe të papranueshme, duke përfshirë edhe rastet kur u drejtohet personalisht anëtarëve individualë të institucioneve të Vettingut. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet”.

Kalavera pranon vakumin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese për të cilën thotë se do të marrë zgjidhje shumë shpejt.

“Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, sigurisht, një çmim shumë i lartë për t’u paguar për tranzicionin. Nuk duhet të habitemi që procesi i rivlerësimit ka pasur implikime dhe pasoja në gjyqësor në të gjitha nivelet. Megjithatë, procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve është në vazhdim dhe ky tranzicion do të përfundojë së shpejti”.

Një mesazh të qartë për mosndaljen e reformës në drejtësi e dha në Tiranë edhe ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca.

“Reforma e drejtësisë është zbatuar në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin, reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme, të gjitha institucionet shqiptare duhet ta mbështesin atë”.

Deklaratat e shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe ambasadorit të Bashkimit Europian vijnë vetëm pak ditë pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta adresoi kritika të forta ndaj misionit Euralius që asiston institicionet shqiptare në reformën në drejtësi.

Tv Klan