Çalja kërkon shpërblim për medaljet

Posta

Çalja kërkon shpërblim për medaljet

20:23 17/10/2019

Reagon Ministria: Është paguar për dy tituj

I zhgënjyer, i zemëruar, por kryelartë. Kështu e titullon letrën e tij të hapur Briken Çalja. Peshëngritësi e ka publikuar në rrjetet sociale shqetësimin se është i zemëruar dhe i zhgënjyer nga shteti. I zhgënjyer sepse nuk ka vëmendjen që duhet të kenë sportistët elitarë. Ai ka mbledhur disa medalje në kampionatet evropiane dhe botërore. Është i zëmëruar nga burokracitë e shtetit për të marrë shpërblimet, ashtu siç e parashikojnë edhe VKM-të përkatëse. Por kryelartë, sepse ai vazhdon të mbledhë medalje. Tv Klan i kërkoi Ministrisë së Sportit përsenë e mungesës së shpërblimit të Briken Çaljas sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Në një reagim të saj zyrtar, Ministria përgjigjet që për vitin 2018, Briken Çalja ka marrë shpërblimin si kampion Europe. Për vitin 2019 ka marrë shpërblimin si nënkampion Europe, ndërsa për kampionatin botëror, i cili u mbajt pak kohë më parë priten përgjigjet e analizave anti-doping.

Por Briken Çalja pretendon të shpërblehet edhe për dy medaljet e tjera të arit të marra në europianin e 2018 në stilin e shtytjes dhe të shkëputjes. I kontaktuar nga Tv Klan ai thotë se pret të shpërblehet edhe për një medalje ari të marrë ne europianin e Gjeorgjisë këtë vit.

Ne letrën e tij Çalja shkruan se si sportist elitar dhe më shumë medalje duhet të ishte punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes ose atë të Rendit ashtu sikurse parashikon kjo VKM e vitit 2018  ‘mbi kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë’.

Çalja kërkon shpërblimet edhe pas letrës që drejtori i përgjithshëm i Federatës Botërore të Peshëngritjes i ka dërguar Ministrisë së Sportit. Në të thuhet se në peshëngritje shpërblehen medaljet e arit, bronzit dhe te argjendit për stilet e shkëputjes së shtytjes dhe dygarëshit në të gjitha kategoritë e peshave trupore.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi