Tomini: Nëse nuk respektojnë protokollet do mbyllen

“Ky Call Center prapa krahëve të mi është kthyer në vatrën kryesore të infeksionit me Covid-19 në kryeqytet. 15 punonjës të saj kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, pas dy rasteve të evidentuara dy ditë më parë”

Inspektorët e shëndetësisë e mbyllën këtë biznes.

Epidemiologët në terren bëjnë me dije se punonjësit kanë rezultuar të infektuar nga dy raste të mëparshme pozitive, kontakte të personave të tjerë.

Dyshohet se numri i të infektuarve mund të jetë më i madh, jo vetëm për shkak se në Call Center ka një numër të lartë të punësuarish, por edhe për faktin se shumë prej tyre i kanë zyrat në pallate të banuar nga familjarët.

Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini, e pyetur mbi rrezikun që kanë këto biznese të ngritura në pallate të banuara, tha se ato janë nën monitorim dhe paralajmëroi mbylljen nëse do të shkelen rregullat.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi do të mbyllen të gjithë subjektet që neglizhojnë qoftë edhe një masë të vetme përkundrejt këtij protokolli”.

Partia Demokratike reagoi për këtë çështje, duke thënë se Call Center-at dhe fasoneritë duhet të ishin mbyllur që në fillim të pandemisë.

“Të gjitha kërkesat dhe sugjerimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër, për të mos realizuar pagesën e famshme të luftës. Do të këshilloja reduktimin e numrit të personave, krijimin e hapësirave të duhura, distancës së duhur nga njëri-tjetri dhe me patjetër ndihmë ekonomike, e cila duhet të jetë e garantuar në një farë mënyre pikërisht nga qeveria. “

Një tjetër Call Center në Tiranë pati të infektuar në javët e para të pandemisë, ndërsa fasoneritë u bënë burimi kryesor i infeksioneve në Durrës e Krujë.

Tv Klan