“Përtyp çamçakëz” është një këshillë paksa e çuditshme nëse e dëgjon nga mjeku ORL, por ka një shpjegim shkencor pas tij. Mjekja Iva Cakoni shpjegon në programin “Shhije Shtëpie” në Tv Klan se përtypja e çamçakëzit mund të ndihmojë personat që kanë probleme me dëgjimin. Ky proces aktivizon gëlltitjen që më pas mundëson hapjen e një tubi që lejon hyrjen e ajrit në vesh.
Iva Cakoni: Çamçakëzi ndihmon në nxitjen e pështymës dhe në gëlltitje. Procesi i gëlltitjes ndihmon në hapjen e tubit të eustakut që është vendi ku veshi ajroset. Personat që kanë këtë problematikë, do të thotë që tubi i eustakut qëndron i mbyllur, kanë probleme me balancimin e presionit të ajrit brenda veshit dhe shpesh thonë që nuk dëgjojnë mirë, ndihen si në qyp, ndiejnë boshllëk në vesh dhe ne u rekomandojmë të bëjnë këtë gjë në mënyrë që të shërbejë në hapjen e këtij tubi dhe futjen e ajrit në vesh.
Katerina Trungu: Ky tub ngushtohet vetë apo është çështja e dyllit?
Iva Cakoni: Jo, ky tub lidh veshin e mesëm, është një kavitet i mbushur me ajër, por është pas daulles së veshit, nuk ka lidhje me kanalin, është më tutje dhe lidh pjesën e fundit të hundës, komunikon hunda me veshin. Shpesh ne i rekomandojmë nënat që kur fëmija ka sekrecione nga hunda të tregojnë kujdes t’i mbajnë hundët sa më të lira, sa më të pastra në mënyrë që veshi të mos vuajë./tvklan.al