Javë më parë kur aktualiteti politik “ziente” nga negociatat për Reformën Zgjedhore, ambasadorja amerikane Yuri Kim gjatë një deklarate të saj iu drejtua publikisht Lulzim Bashës me emrin Luli.

Kjo përmendje e emrit në këtë mënyrë bëri jo pak përshtypje në publik. Pikërisht për këtë çështje, kryetari i Partisë Demokratike u pyet sonte nga Arian Çani në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan.

Basha tha se emrat e parë i përdorin në komunikimet me njëri-tjetrin dhe nuk ka asgjë të keqe. Ndërsa Çani insistoi nëse kjo mënyrë komunikimi mund të jetë më shumë se sa rastësi.

Arian Çani: Kur ambasadorja amerikane Yuri Kim, e takove te PD, dhe të gjithëve ju ka mbetur në memorie, tha Mr.Luli Basha. Jemi kurioz ishte më shumë miqësore, ishte ironike, apo ishte thjesht rastësi që tha Luli Basha?

Lulzim Basha: Këtë e sqaroi vetë ajo. S’ka asgjë të çuditshme tha. Ne përdorim emrat e parë në komunikim, ai më thërret Yuri, unë i them Luli. S’ka ndonjë problem. Në qoftë se e do pastaj me batutë, përderisa i thonë Edvinit Edi, mund t’i thonë edhe Lulzimit Luli apo jo?

Arian Çani: Jo nuk jam kundër unë që të thonë Luli. Për herë të parë një ambasador amerikan…

Lulzim Basha: S’është hera e parë.

Arian Çani: Po pse Donald Lu të ka thënë ndonjëherë?

Lulzim Basha: Edhe ai, edhe paraardhësi i tij, edhe paraardhësi i paraardhësit të tij.

Arian Çani: Në publik?

Lulzim Basha: Edhe në publik.

Lulzim Basha: Curri, kjo është një çështje kaq e mprehtë e interesit publik sa unë sugjeroj që 30 minutat e ardhshme të merremi në mënyrë të plotë, shteruese…

Arjan Curri: Mos ka ndonjë shkelje syri nga ambasada amerikane?

Arian Çani: Se nuk është kaq pyetje kështu…

Lulzim Basha: Këto pastaj i bëni ju komentuesit, unë s’mund të bëj komente për gjëra të tilla.

Arjan Curri: Prandaj po këmbëngulim kaq shumë që të kuptojmë ndonjë gjë. Unë e pashë si shenjë afrimiteti, konfidencialiteti që nuk është gjithmonë e keqe në këto raste. /tvklan.al