Ish-kampioni i Botës në vitin 2006, Fabio Kannavaro ka vlerësuar kombëtaren shqiptare në prag të kampionatit Europian të këtij viti. Në prononcimin për mediat në vizitën e mbajtur në Tiranë, fituesi i “Topit të Artë” ka analizuar performancën e kuqezinjve në vitet e fundit.

Fabio Cannavaro, ish-futbollist: Nga kjo përfaqësuese shqiptare më pëlqejnë disa futbollistë, keni shumë lojtarë që luajnë në Itali, janë dy qendërmbrojtësit shumë të mirë, por të gjithë e njohin kampionatin italian dhe po dalin në pah e po bëjnë një figurë shumë të mirë. Mendoj gjithmonë se ndeshjet duhen fituar dhe në kohën e duhur, kjo duhet dëshmuar në fushën e lojës. Italia është një skuadër me një trajner të ri, me lojtarë që kanë përvoja të ndryshme.

Spaleti është padyshim një trajner që ka përvojë të madhe në nivel ndërkombëtar, por ndeshja e parë do të jetë e vështirë, ju e dini që në Itali humbet një ndeshje e pastaj bëhet dramë. Kombëtarja juaj ka lojtarë që luajnë të gjithë jashtë, kanë përvojë ndërkombëtare dhe shumë prej tyre luajnë në kampionatin italian dhe, në fazën finale të një turneu të tillë nuk të bën askush dhurata.

Italiani shtoi se vendimtare për objektivat do të jetë takimi i parë i fazës së grupeve. Kuqezinjtë sfidojnë pikërisht kampionët në fuqi të kompeticionit Itali në Dortmund.

Fabio Cannavaro, ish-futbollist: Unë mendoj gjithmonë që ndeshja e parë e një Botërori apo e një Evropiani është gjithmonë ajo më e ndërlikuara, sepse vihet nga një periudhë pune, skuadrat nuk dihen sesi janë dhe sigurisht që të luash ndaj një skuadre si e Shqipërisë nuk është e lehtë, sepse është një skuadër e re në moshë, e fortë, dhe me një trajner të përgatitur dhe sigurisht për Italinë do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë.

Fabio Cannavaro ishte i ftuari i Federatës Shqiptare të Futbollit, teksa dha leksione për trajnerët e rinj, në kursin e UEFA PRO. Kampionati Europian i kësaj vere vjen falas dhe ekskluzivisht në TV Klan.

Klan News