Specialistët: Prindërit të jenë vigjilentë për shëndetin e fëmijëve

Me rikthimin e fëmijëve në shkollë, specialistët sjellin në vëmendje problemet shëndetësore që shkakton pesha e çantës së shkollës.

“Çantat e rënda janë një problem i cili ka një ndikim të drejtëpërdrejtë në shpinën e fëmijëve. Problemi më i madh është me fëmijët e shkollave fillore të cilët kanë një trup të pazhvilluar dhe muskujt e tyre nuk janë në gjendje që të përballojnë peshën e çantave që ato mbajnë dhe kam përshtypjen që kjo me kalimin e kohës, do të sillte ndryshime qoftë në strukturën muskulore dhe atë skeletike”, është shprehur fizioterapisti Kleton Kadillari.

Sipas fizioterapistit Kleton Kadillari, më të shpeshtat te fëmijët ndeshen problemet te shpatulla por dhe skolioza.

“Ka pasur grupëmosha më të vogla që kanë shfaqur probleme posturale dhe ndër to më kryesoret janë devijimet posturale në nivel të shpatullave, ku kemi një fenomen siç njihet ndryshe shpatulla e rënë siç thuhet shqip, i cili shkakton uljen e njërës shpatull dhe një disbalancë muskulare në nivel të shpatullave. Nuk është vetëm çanta e rëndë, edhe qëndrimi i gabuar, teknologjia, mungesa e aktiviteteve”,është shprehur fizioterapisti.

Specialistët japin disa këshilla se si duhet të veprojnë prindërit në të tilla raste

“Duhet të kontrollojnë peshën e çantës së fëmijës, të mundohen t’i gjejnë çanta sa më të përshtatshme për trupin e tyre, pra çanta që nuk janë më të gjëra se bust i tyre dhe më të gjata se busti i tyre. Të mundohen që pesha e çantës të mos kalojë 10% të peshës së tyre trupore”, ka thënë  fizioterapisti Kleton Kadillari.

Aktiviteti fizik dhe sporti janë të rëndësishëm, por dhe kontrollet periodike për të kapur në moshë të vogël problemet me devijimet e shtyllës kurrizore, pasi trajtimi në moshë të rritur është më i vështirë.

Klan News