Të Premten, në mbrëmje, Carla Bruni dhe ekipi i saj i muzikantëve erdhën me të parin koncert në Shqipëri. Skena ishte Butrinti, në teatrin e një prej vendbanimeve më të hershme e më unike në botë.

Në prezantimin e parë me publikun shqiptar, Carla Bruni ishte kujdesur që të sillte një program që përfaqësonte karrierën e saj si këngëtare nga albumi i parë tek ai i fundit “French Touch”, i hedhur në treg para dy vitesh.

Ajo këndoi në tri gjuhë. Në italisht me “Douce France”, “Dolce Franca”, një nga këngët më të famshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, një ripërpunim i kantautores në gjuhën italiane.

Në anglisht me disa përpunime të krijimeve më të njohura ndër dekada në industrinë botërore të muzikës apo të kinematografisë që nga filmi i famshëm “Breakfast at Tiffany’s”, “The winner takes it all, të “ABBA-ve” e apo “Highway to hell” e AC/DC.

Çdo risjellje e këtyre këngëve i përgjigjej vokalit të saj. Origjinaliteti: Ishte mënyra si ajo i përjetonte këto këngë të cilën e shprehte përmes gjuhës së trupit.

Në frëngjisht, përveç këngëve të konceptuara nga ajo si në tekst dhe në muzikë ndër vite, i këndoi bashkëshortit të saj. Për ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy, i ulur në publik krah kryeministrit Edi Rama, Carla Bruni e surprizoi me një këngë të re, “Djali i trishtuar”.

E duartrokitur gjatë pas çdo kënge, që për secilën kishte nga një histori për të treguar para se t’i këndonte, koncerti i Carla Brunit përbëri edhe ngjarjen kryesore muzikore në festimet që zhvillohen në gjithë botën për muajin e muzikës Qershorin. Koncerti u zhvillua nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama, që në mbyllje nuk mundëm t’i shkëpusnim një përshtypje pasi djali i tij Zaho, ia hoqi mikrofonin.

Për gjithë ata që nuk ishin aty për të shijuar drejtpërdrejt “Prekjen franceze” të Carla Brunit, koncerti do të transmetohet në Televizionin Klan.

Tv Klan