Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka hedhur poshtë kërkesën e Skënderbeut për pezullim të përkohshëm të vendimit të apelit të UEFA-s që e dënoi klubin korçar me 10 vite përjashtim nga aktivitetet europiane. Në një njoftim për mediat, CAS i Lozanës thotë se nuk e ka marrë parasysh kërkesën për masat e përkohëshme të kërkuara nga Skënderbeu në mënyrë që korçarët të merrnin pjesë këtë sezon në kualifikueset e Champions. Megjithatë, për korçarët asgjë nuk ka përfunduar. Gjyqi në CAS do të vazhdojë edhe pse ende nuk është përcaktuar një datë për seancë dëgjimore.

Me anë të një deklarate për shtyp këtë situatë e sqaron edhe vetë klubi korçar në të cilën thuhet se klubi dhe zyra ligjore mbetet besimplotë se vendimi përfundimtar do të jetë në favor të KF Skënderbeut.

Më herët apeli i Uefa-s mori vendimin për përjashtimin për 10 vite nga garat europiane si dhe gjobitjen me 1 milion euro për Skënderbeun duke e konsideruar fajtor për trukim ndeshjesh. Korçarët e kanë mohuar këtë fakt në disa raste dhe për këtë arësye iu drejtua CAS.

Me vendimin e fundit nga arbitrazhi i Lozanës, Kukësi do të marrë pjesën në Champions League, por përfiton edhe Partizani përfaqësimin në Europa League edhe pse u rendit i katërti në Superiore.

Tv Klan