Cassie Ventura u çlirua vetë nga “djalli” Sean “Diddy” Combs, deklaroi bashkëshorti i saj pas seancës së radhës.
Jashtë gjykatës së Manhatanit, avokatët e këngëtares lexuan një deklaratë nga Alex Fine ku ai shprehte dashurinë për të shoqen dhe lëvdonte forcën e saj të karakterit për të dëshmuar para reperit në gjykatë, shkruan The Telegraph.
Në mesazhin drejtuar atij, Fine thotë:
“Gjatë 5 ditëve, bota ka dëshmuar forcën dhe guximin e gruas sime, duke e çliruar veten nga e shkuara. Ka pasur fjalë online duke thënë sesi duhet të ndihem unë ulur aty duke dëgjuar dëshminë e gruas sime. Kam ndier shumë gjëra i ulur atje. Kam ndier krenari të papërshkrueshme dhe dashuri të jashtëzakonshme për Cass. Kam ndier zemërim të thellë që ajo është detyruar të ulet përpara personit që u përpoq ta thyente. Kështu, atij dhe kujtdo që e ndihmuan gjatë rrugës, dijeni: Ti nuk ia dole. Ti nuk e theve shpirtin e saj, as buzëqeshjen e saj që ndriçon çdo dhomë. Ti nuk e theve shpirtin e një nëne që jep përqafimet më të bukura dhe luan lojërat më qesharake me vogëlushet tona. Ti nuk e theve gruan që më bëri mua një burrë më të mirë. Unë nuk e shpëtova Cassie, siç kanë thënë disa. Ta thuash këtë është ofendim ndaj viteve të punës së dhimbshme që gruaja ime ka bërë për të shpëtuar veten. Cassie shpëtoi Cassie. E vetme ajo u çlirua nga abuzimi, shtrëngimi, dhuna dhe kërcënimet. Ajo luftoi djajtë që vetëm një djall mund t’ia kishte krijuar. Gjithë çka kam bërë unë është që ta doja atë siç më ka dashur ajo mua. Jeta e saj tani është e rrethuar me dashuri, të qeshura dhe familjen tonë. Këtë kapitull të tmerrshëm e kemi lënë pas përgjithmonë dhe nuk do të bëjmë deklarata të tjera. Ne e vlerësojmë gjithë dashurinë dhe mbështetjen që kemi marrë dhe ju kërkojmë të respektoni privatësinë tonë teksa mirëpresim djalin tonë në një botë që tanimë është më e sigurt për shkak të nënës së tij.”

Cassie dëshmoi për 4 ditë radhazi në gjykatë duke detajuar sesi Combs e detyroi të merrte ppjesë në “qindra” festa seksi ku konsumohej drogë. Festat që zgjasnin deri në 4 ditë, ndodhën përgjatë 10 viteve të lidhjes së tyre.
Ajo është 8-muajshe e gjysmë shtatzënë dhe pritet që të lindë së shpejti. Me përfundimin e dëshmisë së saj, u shmang shtyrja e gjyqit. Ventura tha se nuk e urren Diddy pavarësisht gjithë abuzimit që ai e bëri të kalonte për vite me radhë.
“Nuk e urrej”, tha ajo. E pyetur nëse ka ende dashuri ndaj tij, ajo tha: “Kam dashuri për të shkuarën dhe atë çfarë ishte.”

Në gjykatë, dolën edhe mesazhet mes tyre. Në vitin 2019, ai e kishte uruar për shtatzëninë. Në mars të vitit 2020, kishte pasur një tjetër shkëmbim mes tyre ku Combs i bënte me dije se “ishte përherë aty” nëse do të kishte nevojë për të. Më tej, i thoshte: “Uroj të më falësh”, teksa shtonte: “Ne jemi me fat që jemi gjallë. Zoti po na ruante”, çka është një adresim i stilit të tyre të çmendur të jetesës.
Më pas, ai i kërkonte të caktonin një datë takimi duke i thënë: “Po e dërgoj këtë mesazh me gjithë respektin për martesën tënde.” Ata nuk u takuan kurrë.
Cassie pranoi se kishte marrë një dëmshpërblim prej 20 milionë dollarësh prej tij, por tha se ishte e gatshme që t’i kthente të gjitha që “të mos përjetonte asnjë festë seksi.”
Ndërkohë gjyqi do të vazhdojë me dëshmi të tjera./tvklan.al