UNICEF: Covid solli ndërprerjen e shërbimeve për testimin dhe trajtimin e HIV

Të dhënat globale tregojnë se situata e HIV është përkeqësuar në dy vitet e fundit, kjo edhe për shkak sepse e gjithë vëmendja është fokusuar te pandemia e Covid-19. Në raportin e UNICEF për Ditën Botërore për Luftën kundër HIV/AIDS-it ngrihet si shqetësim se “epidemia e HIV hyn në dekadën e saj të pestë, por për shkak të të Covid-19, shumë vende kanë përjetuar ndërprerje të konsiderueshme në shërbimet e HIV, duke bërë që të rritet rreziku i infektimit për fëmijët dhe gratë”.

120,000 fëmjë kanë humbur jetën nga shkaqe të lidhura me SIDA-n gjatë 2020, ose një në çdo pesë minuta.Të paktën 310 mijë fëmijë në mbarë botën u infektuan me HIV. Rreth 88% e vdekjeve të fëmijëve të lidhura me HIV/AIDS -in kanë ndodhur në Afrikën Sub-Sahariane, ndërkohë që pandemia Covid-19 po e përkeqëson edhe më shumë situatën.

Transmetimi nga nëna te fëmija, është një kontribues i rëndësishëm në përhapjen e HIV-it, rreth 9% e infeksioneve të reja globalisht shkaktohet me transmetim vertikal. Gjatë këtyre dy viteve të fundit ky tregues është rritur edhe më shumë. Sipas raportit të UNICEF testimi i HIV-it për foshnjat në vendet me prevalencë të lartë ra me 50% në 70%, ndërsa trajtimet e reja të nisura tek fëmijët nën 14 vjeç ranë nga 25% në 50%. Globalisht, aksesi në terapinë antiretrovirale është shumë i kufizuar për fëmijët. Vetëm pak më shumë se gjysma e fëmijëve me HIV kanë qasje në trajtime antiretrovirale.

Ky lloj trajtimi kontrollon shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundëson sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet. Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.

Klan News