Prej vegjëlisë, Erioni ka dëgjuar fjalë se nuk ishte djali biologjik i familjes. Në moshën 18-vjeçare, teksa shkoi të merrte një certifikatë në gjendjen civile, mësoi se fjalët ishin të vërteta dhe prindërit e tij biologjikë s’ishin ata që kishte menduar deri në atë moment.

Vetëm shtatorin e shkuar, pasi më në fund nëna birësuese u bind, Erioni kërkoi ndihmën e “Ka Një Mesazh Për Ty” për të gjetur rrënjët e tij. Ai gjendet në zyrën e moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas ku ka treguar këtë histori dhe pret një përgjigje.

Sipas shpjegimit të moderatorit, marrja e saj nuk do të jetë kaq e thjeshtë. Me të dhënat që kanë, gruaja me emrin Lutfije Dema që mendohet se është nëna e Erionit, është gjetur, por ajo thotë se nuk ka sjellë në jetë një djalë në vitin 1979.

Ardit Gjebrea: Ne kemi kërkuar, Bernardi, gazetari ynë dhe ti e di kur Bernardi kërkon, gjen dhe çfarë ka gjetur? Znj. Lutfije Dema ne e kemi gjetur, ka lindur më 23 qershor të vitit 1952. Ajo jeton në një qendër sociale për momentin, ajo ka fëmijë binjakë, kanë lindur në vitin 1988, por thotë që unë nuk kam lindur një djalë në vitin  1979, por me këtë emër dhe me të gjitha përshkrimet ne na çon rruga te kjo zonjë. Tani, është pak e çuditshme, nuk mund të them asgjë dhe këtë gjë e zgjidh vetëm një analizë ADN-je, nëse ti do të ishe i gatshëm që ta bëje.

Erion: Po, e bëj, patjetër.

Ardit Gjebrea: Pasi të bëjmë analizën e ADN-së bashkë, unë do të shkoj në qendrën sociale, ta takoj vetë zonjën, të flas me të, do të isha shumë i lumtur nëse ajo do të pranonte për të hequr merakun ty dhe tonin, sigurisht dhe për të parë çfarë ka ndodhur se është shumë e çuditshme që neve çdo gjë na çon atje, por ajo thotë jo, në ’79-ën unë s’kam lindur ndonjë djalë.

Pas dakordësimit të Erionit, në zyrë hyn Retina, një eksperte e “Forensic Center Albania” për të marrë kampionin e tij të ADN-së./tvklan.al