CDU-CSU: Rruga drejt BE-së mbetet e hapur

Posta

CDU-CSU: Rruga drejt BE-së mbetet e hapur

19:34 20/10/2019

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të vijojnë me reformat”

Pavarësisht vendimit negativ që Këshilli Europian mori për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Gjermania, një ndër vendet lobuese pro çeljes së negociatave, shprehet besimplotë se rruga drejt unionit mbetet e hapur për të dy vendet. Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Johan Vadeful, se fsheh optimizmin për ndezjen e dritës jeshile edhe nga Franca, nëse Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të ecin përpara me reformat e kërkuara.

“U bëj thirrje të dy vendeve që votën negative të Këshillit Europian ta marrin si nxitje për përparimin me reformat. Nëse këto lihen pas dore, dyshuesit do të merrnin krah. Nëse dy vendet i qëndrojnë këtij drejtimi, Parisi nuk do të mund t’a ndalojë për herë të dytë, hapjen e negociatave të anëtarësimit. Parlamenti gjerman i qëndrojnë kërkesës për vazhdimin e axhendës së reformave deri në përfundimin e saj. Gjermania është mbështetëse e një perspektive europiane për Ballkanin Perëndimor”.

Edhe për Raportuesin për Çështjet e Integrimit të dy vendeve të Ballkanit, Kristian Shmid, vendimi negativ i 18 Tetorit do të duhet të rishikohet, pasi Europa është i vetmi destinacion për dy vendet, të cilave iu mbyll dera për në union. Shmid paralajmëron se nëse BE-ja nuk kujdeset për Ballkanin Perëndimor, fuqitë e tjera do ta bëjnë këtë rajon sferën e tyre të ndikimit.

“Vendimi negativ i Këshillit Europian duhet të rishikohet menjëherë. Lidhja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Europian nuk duhet të bllokohet. Ne i qëndrojmë bindes tonë se për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor ka një vend në Bashkimin Europian nëse ata i përmbushin kriteret. Këtu përfshihet edhe procesi i pranimit. Nëse BE-ja nuk kujdeset për Ballkanin Perëndimor, fuqi të tjera mund ta bëjnë atë zonën e tyre të influencës. Këtë nuk e dëshiron askush”. 

Në samitin e Këshillit Europian të 17 dhe 18 Tetorit, Kancelarja gjermane Angela Merkel mbështeti qëndrimin për hapjen e negociatave për Tiranën dhe Shkupin. Pas qëndrimit refuzues të Francës, ajo u shpreh e zhgënjyer ndërsa apeloi që të dyja vendet të vijojnë me reformat.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT