Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku rrëfeu motivet se përse vendosi të kandidojë për postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Ceka u shpreh: “Po të tregoj historinë është shumë e thjeshtë, por nga ana tjetër do të them që ishte rezultat i konsekuencës që kam patur gjatë gjithë historisë së zgjedhjes së presidentit në Shqipëri. Kam qenë personi që kam thënë që presidenti duhet të vijë nga politika, t’i jepet autoriteti parlamentit për ta zgjedhur dhe kam qëndruar në këtë linjë që nga fillimi, pavarësisht se kam qenë këmbëngulës në nevojën që ka vendi për zgjedhje të parakohshme. Kam rënë dakord në momente të caktuara, kur dhe partitë e tjera e këmbyen këtë me një president konsensual dhe me një grup reformash konsensuale, por nuk kam pranuar që në këmbim të kësaj të kemi çfarëdo lloj presidenti dhe që fati i tij të vendoset jashtë parlamentit.

Kandidimin ma ka kërkuar Nard Ndoka dhe pasi pashë njoftimin për një kandidat që do të vinte me propozimin e partive aleate të koalicionit qeverisës, Fatmir Mediu. Nuk më shkonte kurrë mendja që në atë moment ishte vënë dhe lapsi mbi mua. Patjetër që pata një dilemë se nuk është e lehtë që duke qenë pjesë e opozitës, në listën e opozitës, të marrësh firmat e deputetëve të pozitës.

Ishte një çështje me risk të madh patjetër. Në këto momente njeriut mund t’i shkojë në mendje që mund të bëhet pjesë e një loje politike. Unë nuk besoj të jem pjesë e një loje politike sepse ata që më kanë propozuar nuk merrem me lojëra politike. Shkaku i tyre ishte për të kaluar një ngërç në parlament, i cili ishte bllokuar midis 2 emrave, njëri prej të cilëve nuk kishte shkelur në parlament. Pra kërkuan një njeri që ishte gati të vinte në parlament dhe ai kam qenë gjithmonë unë. Nuk kam qenë rob i një tryeze ose një koalicioni të caktuar, pavarësisht se e respektoj dhe besoj se do të jem gjithmonë në një linjë që është për bashkëpunim pozitë-opozitë, por jo për t’u futur në një llogore të pakualueshme.

Jam futur në një garë për të fituar. Për të thënë të vërtetën e majta vazhdon të dyshojë që unë jam pjesë e lojës të së djathtës. E ka këtë bindje se i duket si diçka e pabesueshme se si një grup nga e djathta mbështet një kandidat që është në listën e së majtës. Natyrisht kjo është gjëja më e thjeshtë për të dyshuar, por nuk dua të merrem shumë me këtë sepse unë duhet të vazhdoj garën për të provuar që unë e kam me të vërtetë mbështetjen e këtij grupi”.