Mbyllen shkollat, baret e restorantet. Drejt ekstremit edhe vendet e tjera

Evropa tanimë është bërë vatra më e nxehtë e Covid-19. Duke filluar nga nesër në Republikën Çeke do të rikthehet karantina për rreth 3 javë. Të gjitha restorantet, baret dhe klubet do të mbyllen deri më 3 Nëntor. Po ashtu edhe gjitha shkollat, përveç kopshteve, do të mbyllen dhe do të kalojnë në mësime online.

Një javë më parë autoritetet morën masa për të mbyllur palestrat, pishinat në ambientet e brendshme, kinematë, teatrot dhe muzetë.

Ditët e fundit Çekia ka regjistruar rekord të rasteve me koronavirus brenda një dite mbi 8,600, ndërsa numri i pacientëve të shtruar në spitale është rritur për 76%. Ky vend aktualisht ka të konfirmuara mbi 121,400 raste me koronavirus. Numri i viktimave aktualisht qëndron në 1,051.

Rritje të rasteve ka regjistruar edhe Britania e Madhe. Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka paraqitur një plan i cili përfshin një ndërhyrje me tre nivele, sipas shkallës së përhapjes së infeksionit. Referuar situatës, Johnson bëri me dije se nuk do të ketë izolim të ri kombëtar dhe as mbyllje të shkollave e universiteteve.

Niveli mesatar i alarmit do të përfshijë të gjithë Britaninë dhe konsiston në kufizimet që janë aktualisht në fuqi, si grumbullimi i jo më shumë se 6 personave dhe mbyllja e bizneseve pas orë 22:00.

I larti do të shtojë më tej kufizimet dhe ndërhyrjen e autoriteteve dhe një karantinë jo më shumë se 2 ose 3 javë, ndërsa shpallja e nivelit shumë të lartë nënkupton mbylljen e plotë të bareve e pub-eve, si dhe orare të reduktuara në punë. Aktualisht Britania numëron mbi 42 mijë të vdekur, si dhe mbi 617 mijë raste.

Në Francën e konsideruar si vatra e valës së dytë, numri i infektimeve ra në 8500, një rënie e ndjeshme krahasuar me rekordin e vendosur një ditë më parë prej afro 27 mijë të prekurish ditorë. Kryeministri francez, Jean Castex, u kërkoi qytetarëve që të kufizojnë vendet ku ka më shumë grumbullim. Ai bëri thirrje për mbajtjen e maskës në çdo ambient të mbyllur.

Situata paraqitet kritike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në Indi, aty ku infeksionet dhe vdekjet mbajnë rekord global. Ndërkaq kompania farmaceutike “Johnson & Johnson” ka ndaluar përkohësisht testimin e vaksinës kundër sëmundjes Covid-19, për shkak se njëri prej pacientëve shfaqi efekte anësore. Kjo ndërprerje është e njëjtë me atë të AstraZeneca e cila u ndërpre pasi 2 pacientë shfaqën një sëmundje të pashpjegueshme.

I gjithë globi numëron mbi 38 milionë të prekur dhe mbi 1 milionë kanë humbur jetën qëkur pandemia u përhap.

Klan Plus