Kryeprokurori: Të vendoset para ligjit kushdo qe cenon procesin e zgjedhjeve

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka kërkuar angazhim maksimal të prokurorive dhe oficerëve të policisë gjyqësore gjatë periudhës së zgjedhjeve. Ai gjithashtu garantoi se do të përgjigjet para ligjit kushdo që cenon procesin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

 “Është thelbësore të vlerësohet me seriozitet dhe në kohë çdo kallëzim apo e dhënë për kryerjen e veprave penale që cenojnë procesin e zgjedhor, përmes hetimeve të shpejta dhe të plota, të bashkëpunohet ngushtësisht me të gjitha agjencitë ligjzbatuese si dhe të koordinohen veprimet hetimore me Prokurorinë e Posaçme kur do të rezultojë e nevojshme për shkak të kompetencës lëndore”.

Gjithashtu Prokurori i Përgjithshëm u kërkon prokurorive me juridiksion të përgjithshëm që të vënë përpara përgjegjësisë këdo që cënon integritetin e procesit zgjedhor.

“Nga ana juaj pritet që të vini menjëherë përpara përgjegjësisë penale këdo që do të tentojë apo do të vendosë në rrezik integritetin e procesit zgjedhor. Çdo zvarritje apo mungesë veprimi në hetime është e dëmshme dhe nuk do të tolerohet! Nga ana e prokurorive të merren të gjitha masat që përveç sa më sipër, të sigurohet transparencë e plotë e veprimtarisë në përputhje me ligjin”.

Olsian Çela ka zhvilluar një takim mme ambasadoren e SHBA Yuri Kim ku kanë diskutuar për masat e marra  nga Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar zbatimin e ligjit ndaj kujtdo që do të cënojë procesin zgjedhor.

Klan News