Kryeprokurori Olsian Çela ka qenë në Durrës këtë të mërkurë ku ka zhvilluar një takim me prokurorët e këtij rrethi. Çela pati një prononcim për gazetarët ku u pyet për hetimet e krimeve zgjedhore.

Ai u shpreh se u është kërkuar prokurorive që të kenë përgjigje të shpejta sa i takon këtëyre hetimeve. Ai tha se prokurorive të rretheve gjyqësore u është ofruar mbështetja për të kryer hetime të plota dhe profesionale që lidhen me zgjedhjet.

“Në lidhje me hetimin e krimeve zgjedhore është kërkuar nga prokuroritë të ketë përgjigje të shpejta në drejtim të këtyre proceseve. E rëndësishme është që hetimet të shoqërohen në proces transparent, që publiku të jetë i qartë, e të ketë informacion të plotë në atë çka bërë Prokuroria. Duhet të jemi të besueshëm dhe integritetin e prokurorëve dhe prokurorisë. Çështja e zgjedhjeve është çështje që prek shumë prokurori të rretheve gjyqësore dhe kanë impakt në të gjithë vendin, ndaj rezultati i çdo hetimi, është i rëndësishëm. Rëndësi ka që hetimet të jenë të plota, të kryhen në kohën e duhur e rezultatet t’i përcillen publikut. Ne jemi drejtuar disa herë prokurorive të rretheve gjyqësore, i është ofruar mbështetja për të kryer hetimet e plota dhe profesionale që lidhen me zgjedhjet”, u shpreh Çela./tvklan.al