Çela: Nuk kam pasur në asnjë rast presion politik, prokurorëve nuk u falet që të jenë robër të drejtuesve abuzues




Çela: Nuk kam pasur në asnjë rast presion politik, prokurorëve nuk u falet që të jenë robër të drejtuesve abuzues

13:37 17/05/2022

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka zhvilluar një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve këtë të martë. Ai ka thënë para deputetëve të pranishëm se në asnjë rast Prokurori i Përgjithshëm nuk ka pasur presion politik. Madje sipas tij, prokurorët sot trajtohen më mirë se kushdo dhe nuk u falet që të jenë robër të drejtuesve abuzues.

“Prokurori i Përgjithshëm nuk ka pasur në asnjë rast presion politik, të asnjë lloji. Prokurorëve sot që trajtohen më mirë se kushdo, u garantohet çdo gjë, nuk u falet që të jenë robër të drejtuesve abuzues. Nuk u falet të jenë robër të presioneve të çdo lloji. Është e pafalshme. Meriton ndëshkim kushdo nga ata, i cili mund të gjejë 1 mijë justifikime për mosveprim. Prokurorët sot janë zotër të hetimit dhe duhet të bëjnë atë për të cilën janë ngarkuar të bëjnë. Nëse nuk bëjnë as këtë, atëherë mendoj se nuk është çështje ligjesh dhe sistemesh, por qenka çështje njerëzish”, u shpreh Çela.

Më tej, ai shtoi se prokuroria ka nevojë për kohezion në mënyrë që të veprojë si organ i tërë. Çela tha se duhet që të ketë disa instrumente që t’i bëjë këta prokurorë të japin llogari para KLP-së.

“Ju me të drejtë thatë që për 30 vite dështuam me atë sistem dhe jam shumë dakord me ju. Jam dakord që duhet të forcojmë pavarësinë. Duhet t’i japim kohezion prokurorisë që të veprojë si një organ i tërë në kuptimin organizativ. Këto rekomandimet, rezolutat të mos shkojnë në vesh të shurdhër. Sepse unë nxjerr udhëzimin e përgjithshëm edhe po nuk e bëri drejtuesi mirë, po e bëri prapë mirë. Jo, jo ne duhet t’i mbajmë përgjegjës për atë gjë këta njerëz. Këta njerëz duhet të japin llogari dhe unë duhet të kem instrumentet që t’i bëj që të japin llogari para KLP sepse kështu funksionon sistemi. Këtë kërkon Prokurori i Përgjithshëm”, tha Çela./tvklan.al













Të ngjashme