Olsian Çela: Situata në sistemin e drejtësisë është emergjente



Olsian Çela: Situata në sistemin e drejtësisë është emergjente

15:40 03/03/2020

Ambasadorët: Luftoni krimin e organizuar dhe korrupsionin

Emergjente e quajti situatën në sistemin e drejtësisë, Kryeprokurori Olsian Çela, përballë ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara, të Bashkimit Europian dhe OSBE-së.

Në konferencën e thirrur pikërisht nga Cela, problem u veçua mungesa e prokurorëve për shkak të largimeve nga Vettingu.

“Procesi i Vettingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota”.

Problematikeës së ngritur nga Olsian Çela iu bashkua edhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja, sipas të cilit, duhet ende kohë për të arritur rezultatet e kërkuara.

“Të gjithë njerëzit presin rezultate. Prokurorët e SPAK janë të përgjegjshëm do të jenë të matur dhe bazuar në prova, që nuk do të diskutohet. Kjo kërkon kohën e duhur. Do të jemi konkret në kohën e duhur, jua garantoj këtë”.

Por për ambasadorët, i rëndësishëm është integrimi në Bashkimin Europian, një proces i përshpejtuar nga suksesi i Reformës në Drejtësi.

“Patjetër që duhet luftuar krimi. Duhet bërë më shumë me hetimet proaktive. E di që është më e lehtë të flasësh sesa të veprosh dhe këto kërkojnë kohë dhe ndihmë nga ndërkombëtarët, që duhet të bashkëpunojnë me ju. Ne besojmë se Shqipëria meriton të ecë përpara dhe shpresojmë që vendet e anëtarë të BE-së të marrin vendim pozitiv në javët në vijim për negociatat”, u shpreh ambasadori i BE Luigi Soreca.

“Shqipëria duhet të ecë përpara në sundimin e ligjit, kjo nuk është zgjedhje, por kërkesë, duhet t’i jepet fund korrupsionit, kjo po e ndalon Shqipërinë të jetë magnet për investimet. Prokurori është shërbëtor i ligjit, fajtori nuk duhet të shpëtojë dhe i pafajshmi nuk duhet të vuajë. Ju bëj thirrje që bashkë me partnerët të bëni një sistem drejtësie për të mbrojtur të pafajshmit dhe për të dënuar fajtorët”, tha ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Tv Klan



Të ngjashme