Në pikat hyrëse të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës do të ngrejë tregje të posaçme për tregtimin e produkteve bujqësore bio në fundjavë. Nismë e cila u vjen në ndihmë fermerëve të zonës, i jep një dorë ekonomisë lokale dhe disiplinon shitjen e tyre produkteve.

Në panairin e organizuar me gatime, prodhime dhe punime artizanale të punuara nga gratë dhe vajzat e njësisë Baldushk, ku morën pjesë Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se nisma gjeneron ekonominë e zonave përreth qytetit. “

Do të shfrytëzojmë të gjitha hyrjet në Tiranë; nëse Dajti dhe Shëngjergji e kanë hyrjen nga Kinostudio, bashkë me njësitë 3 dhe 4 do të ngrejmë një treg për të shtunën dhe të dielën, në një vend që e cakton bashkia, që tregtarët të shesin sa të duan, pa pagesë. Nëse nga Rruga e Elbasanit e ka aksesin Baldushku, Bërzhita, Farka, Petrela, Krraba, atëherë diku në hyrje të rrugës së Elbasanit do të ngrejmë një treg, ku në fundjavë të shiten të gjitha produktet bio. Pra, edhe shesim produktet, edhe nuk shpërndahemi në çdo hyrje pallati, ku sigurisht edhe për banorët është një lloj bezdie

”, shpjegoi Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë duke konsumuar produkte vendase, të cilat garantojnë cilësi të lartë.

“Fshati ka 100 të mira, por ne duam që një produkt të jetë marka e një fshati. Sikur t’i vëmë nga një markë secilit prej fshatrave, realisht kemi bërë diçka të madhe sepse nëse nuk promovojmë gjërat tona, kush do i promovojë ato? Secili prej nesh mund të jetë një agjent marketingu. Nëse përfshihemi në nismat që ka ministria dhe qeveria për zonat rurale, realisht mund të kemi një mrekulli të agroturizmit në Tiranë”,

nënvizoi ai.

Komuna e Baldushkut është një nga zonat që ka përfituar më shumë gjatë këtyre tre viteve, kjo edhe falë ndarjes së re administrative, duke u bashkuar me Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj siguroi banorët se investimet në këtë zonë nuk do të ndalen, pasi krahas rrugës së re që ka përfunduar, do të nisë investimi për ndërtimin e qendrës së komunës, për ta kthyer në atraksion turistik.

“Fakti që bashkia ndërtoi rrugën, të cilën komuna me buxhetin e saj s’do ta bënte dot kurrë, fakti që janë bërë disa qendra fshatrash, fakti që disa fshatra i kemi futur te projekti i qeverisë për ‘100 fshatrat’, do të thotë se është rritur vëmendja për zonat rurale. Si bashki, vitin tjetër do të bëjmë gjithë qendrën e komunës, për ta kthyer në pikë turistike, që njerëzit të vijnë në Baldushk”,

nënvizoi Veliaj.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, përshëndeti nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës për krijimin e tregjeve me qëllim mbështetjen e fermerëve. Peleshi theksoi se modeli i ndërtuar nga Bashkia e Tiranës do të duhet që të replikohet edhe nga njësitë e tjera lokale.

“Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një model të cilin duhet ta dëgjojnë të gjithë kryetarët e bashkive, në të gjithë Shqipërinë; duke nisur nga një produkt, nga gjeli i detit të këtij fshati, arriti ta vendosë atë shumë shpejt në qendër të vëmendjes të gjithë Shqipërisë. Kjo do të thotë të ndërtosh marketing, biznes, ekonomi. Sikur t’i kthejmë të gjitha ato në produkte që sjellin të ardhura, që shiten, të ndërtojmë tregje të reja atje ku ka mundësi, ku ka njerëz, atëherë në fshat, ditë pas ditë, do të arrijmë të ndërtojmë arsyet se pse familjet që jetojnë në fshat nuk duhet të ndihen që kanë bërë një zgjedhje të gabuar, por duhet të ndihen që kanë bërë zgjedhjen e duhur”

, u shpreh ai./tvklan.al