Me organizimin e Expocity, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, u çel këtë të premte Panairi Ndërkombëtar i Turizmit Tirana 2024, i mbajtur për të 6-in vit radhazi. Për drejtoreshën ekzekutive të Expocity, Aulona Hoxha, panairi është vendosur në një nga sheshet më të bukur të kryeqytetit, sheshin Italia.

“Konferencat & Forumet që do zhvillohen këto ditë, do fokusohen si në prezantimin e destinacioneve me turistike, edhe në shkëmbimin e ideve mbi rritjen e cilësisë së shërbimeve në turizëm, apo paraqitjen e kërkesave të tregut rajonal mbi punësimin”, tha Hoxha.

I pranishëm në hapjen e panairit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se të ardhurat nga turizmi në Tiranë, tashmë zënë një peshë të rëndësishme. Për ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, sfida e Shqipërisë nuk janë më shifrat e turistëve, por cilësia e shërbimit.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit Tirana 2024, projektmenaxher i të cilit është Silvana Mazniku, do të mbahet në Tiranë në datat 5 dhe 6 prill, kohë kur 118 biznese shqiptare dhe të huaja do të njihen me kërkesat dhe ofertat.

Panairi ka për qëllim të promovojë Shqipërinë duke u përqendruar në turizmin e kohës së lirë, atë të konferencave dhe eventeve të korporatave nga e gjithë bota. Turizmin dixhital dhe turizmin mjekësor, i cili po zhvillohet gjithmonë e më tepër në vendin tonë. Ky turizëm do të kthehet në Traditën e Tiranës në vitet që do vijnë.

Tv Klan