Kryekomisioneri në Kuvend: 38 kandidatë të partive nuk pranuan të dorëzojnë formularin e dekriminalizimit

Ndonëse u regjistruan 5 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit, ata mbetën jashtë listës së votuesve për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi gjatë raportimit në seancën plenare, e ndau dështimin e votës së emigrantëve me politikën.

“Ishte thjesht një çështje kohe dhe mungesës së konsensusit të gjitha faktorit politik mbi rregullat që do duhen të miratohen tek KQZ-ja. Ne sot kemi të regjistruar rreth 5 mijë qytetarë me të drejtë vote të cilët kanë deklaruar adresën e tyre të përhershme”, është shprehur Celibashi.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi foli dhe për procesin e dekriminalizimit, për të cilin 38 kandidatë të subjekteve politike gjatë vitit 2020 kanë refuzuar të dorëzojnë formularin.

“Përgjatë vitit 2020 kanë refuzuar depozitimin e formularit të vetëdeklarimit rreth 38 kandidatë të listave shumë emërore të subjekteve të ndryshme politik”, ka shtuar ai më tej.

Për zgjedhjet e 25 Prillit, prokuroria mori për verifikim në kuadër të dekriminalizimit 28 kandidatë për deputetë.

Klan News