Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve garanton integritet të plotë të procesit në lidhje me respektimin e procedurave nga KQZ. Sipas tij, e drejta e çdo subjekti dhe kandidati për të kërkuar pamjet nga procesi i numërimit është e pamohueshme, ndërsa çdo mundësi për ta cilësuar të pavlefshëm votimin nga jashtë do të kërkonte prova të pakundërshtueshme ligjore.
“Nëse verifikohen shkelje të ligjit dhe ato ndikojnë në rezultat, çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm. Me siguri të plotë them se çfarë ka administruar KQZ me këtë proces ka prodhuar integritet të plotë, të paktën për atë segment dhe kompetencë të KQZ-së”, u shpreh Celibashi.
Ai sqaroi edhe publikisht atë që u ka shpjeguar përfaqësuesve të partive, në lidhje me pretendimet për rezultatin e një prej kutive të qarkut të Beratit, ku vota për PS ishte afro 90 për qind.
“Mund të ishte edhe 100%. Ato kuti nuk lidhen me asnjë territor. Ato janë kuti me të cilat janë administruar në mënyrë rastësore, nuk ka trend në këto kuti. Disa e kuptuan, disa thonë, nuk e kuptojnë këtë”, tha Celibashi.
Në mbledhjen e kësaj të hëne, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi edhe tabelën përmbledhëse të rezultateve të qarkut të Kukësit, ku Partia Demokratike mori shumicën e votave duke fituar 2 mandate, ndërsa Partia Socialiste vetëm 1 nga 3 mandatet që ka ky qark.
TV Klan