“Ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Një pjesë e emigrantëve kanë marrë zarfet, dhe tashmë kemi votuesit e parë”, raporton gazetarja Klesiana Omeri.

“Janë 111 votues të cilët kanë votuar dhe kanë dërguar zarfin, kanë njoftuar me telefon postierin e DHL për ta tërhequr dhe është tërhequr ky zarf”.

Por kur pritet të mbërrijnë në Shqipëri, votat e para?

“Ndoshta këtë pasdite ose nga darka do të mbërrijnë të paktën këto 111 zarfa që janë nisur”

Ndërkohë, në parkun Olimpik vijon puna për paketimin dhe vulosjen e zarfeve, për qarqet e tjera.

“Kemi përfunduar dërgimin e zarfave për qarkun Dibër, Kukës, Gjirokastër, Berat, Durrës dhe Elbasan. Kemi nisur sot përgatitjet për qarkun Korçë dhe Lezhë, në pjesën e dytë të ditës së sotme fillojmë për qarkun Tiranë”.

Procesi i shpërndarjeve të fletëve të votimit, nuk mund të përmbyllet më datë 17.

“Kemi shtuar ne si KQZ kontrollin, një fazë tjetër të kontrollit, po ashtu edhe kompania DHL ka shtuar kontrollet të asaj çfarë përgatit. Dhe shtimi i numrit të kontrollit na ka çuar në një shtyrje të afatit”.

Për lehtësim të procedurës së shpërndarjes, Celibashi njoftoi se ka ndryshuar mënyra se si do të kontaktohet votuesi.

“Shtete të ndryshme që kanë të njëjtën kompani, aplikojnë standarde të ndryshme të njoftimit të zgjedhësve, për dërgesat postare që atyre u mbërrinë. Dhe për këtë arsye në mënyrë të unifikuar zgjedhësve të cilit janë të regjistruar do t’ju komunikohet me mesazh telefonik ose në adresat e tyre të emalit se kur ju mbërrin fleta e votimit”.

Kryekomisioneri iu përgjigj akuzave të PD, lidhur me numrin e lartë të prodhimit të zarfeve B.

“Janë prodhuar për shkak të problemeve teknike në shtypshkronjë nga ana e tyre. Nuk implikon fare në procesin e zgjedhjeve. Dhe nëse për një zgjedhës është printuar më shumë se një, në sistemin e KQZ futen vetëm njëra”.

Zarfet me votën e shqiptarëve në momentin që kthehet në vendin tonë do të vendoset direkt në Parkun Olimpik, ku do të jetë e monitoruar 24 orë me kamera.

Klan News