“Fondet për votimin elektronik të miratohen sa më parë”

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paralajmëron se nëse politika nuk ndërmerr hapat konkret për të ndryshuar ligjin zgjedhor, emigrantët dhe diaspora shqiptare nuk do të mund të votojë sërish as në zgjedhjet e 2025.

Gjatë një konference për mediat, ai i kujtoi klasës politike vendimin e Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e boshllëkut ligjor për garantimin e votës për të gjithë shqiptarët pavarësisht se ku jetojnë.

“Kuvendi dhe Partitë politike duhet të vendosin tani në lidhje me votën e diasporës. Jemi në dijeni të faktit të Gjykata Kushtetuese ka prodhuar një realitet të tillë që udhëzon Kuvendin në lidhje me këtë çështje. Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, nuk hezitoj ta them që për zgjedhjet 2025 votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin.”

Një tjetër shqetësim që ngriti Celibashi ishte votimi elektronik. Ai kërkoi lëvrimin sa më parë të fondeve për këtë process që është përrlogaritur të kushtojë rreth 22.6 milionë euro për 5 qarqe.

“Partitë politike dhe aktorë të tjerë duhet të vendosin tani në lidhje me të ardhmen e votimit elektronik. Nëse kanë interes ta shtrinë do të duhet të vendosin tani dhe do të duhet që fondet të vihen në dispozicion të KQZ-së sa më shpejt të jetë e mundur.”

Sipas Celibashit, miratimi i menjëhershëm i fondeve do të krijonte mundësinë e trajnimit dhe implementimit në kohë të specialistëve dhe teknologjisë.

Tv Klan