Kryerkomisioneri Ilirjan Celibashi, në mbyllje të orarit zyrtar të procesit të votimit, vlerësoi se ky proces ishte i qetë dhe i sigurt.

“Ligjërisht procesi i votimit konsiderohet i mbyllur, përjashtuar rastet që në qendrat e votimit ka ende qytetarë në radhë. Sipas Kodit Zgjedhor, do të duhet që të merren emrat dhe dokumentet e identifikimit të atyre që janë akoma në radhë dhe vetëm ata do të lejohen për të votuar. Ndoshta është shumë herët për të bërë një konkluzion në lidhje me ecurinë e këtij procesi zgjedhor, në tërësinë e tij dhe në të gjitha aspektet e tij, por të paktën nga informacionet e KQZ, mund të thuhet që ky proces u karakterizua nga qetësia dhe siguria dhe integriteti i tij si proces. Natyrshëm që nuk mund të shpëtonim nga disa episode dhe pretendimet që tashmë janë bërë të zakonshme dhe që palët në atë tensionin për rezultatin, shpesh i sjellin të amplifikuara dhe shqetësime dhe problematika thjeshtë dhe vetëm të karakterit teknik… por në përgjithësi mund të thuhet që ishte një proces votimi në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

Celibashi e konsideroi sukses procesin e identifikimit elektronik.

“Dua të pranoj që ka qenë një tension i madh në KQZ në lidhje me ecurinë e procesit të identifikimit elektronik, për faktin se ishte një proces shumë i vështirë nga shumë pikëpamje dhe u realizua në një kohë mjaft të shkurtër, pa një rast të dytë të paktën në dijeninë time sa i përket kohës, të përgatitjes dhe cilësisë së këtij procesi. Në tërësi për procesin e votimit edhe për atë sesi procesi në veçanti i votimit elektronik është herët, por gjithsesi disa konkluzione të përgjithshme mund t’i themi, bazuar në disa informacione paraprake që i kemi. Janë rreth 167 qendra votimi në të cilat nuk është përdorur pajisja e identifikimit elektronik. Në 86 prej tyre nuk është përdorur sepse nuk janë paraqitur operatorët dhe në pjesën tjetër për shkak të problematikave dhe pamundësisë së operatorëve për ta përdorur pajisjen. Por në vlerësimin tim mendoj që ky projekt mund të konsiderohet një projekt me sukses të plotë”./tvklan.al