KQZ regjistron koalicionin “Bashkë Fitojmë”, heq PD-në e Berishës
Celibashi: Koalicioni do të përbëhet nga tre parti PL, PBDNJ dhe PDK
Ashtu siç pritej, ndodhi. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi e regjistroi koalicionin “Bashkë Fitojmë” vetëm me pjesëmarrjen e PL, PDK dhe PBDNJ, duke hequr PD-në e drejtuar nga Sali Berisha. Celibashi argumentoi se pjesë e koalicionit nuk mund të bëhen pjesë subjekte që nuk janë regjistruar në KQZ.
“Do të regjistrojmë koalicionin “Bashkë Fitojmë”, por me parti pjesëmarrëse, 3 parti politike, PL, PDK dhe PBDNJ”, tha Celibashi.
Përfaqësuesi i PD-së së Alibeaj në KQZ, Indrit Sefa akuzoi palën e Berishës se kanë përdorur emrin dhe logon e PD në mënyrë të paligjshme.
“Është përdorur emri dhe logo e PD nga persona të pa autorizuar dhe të palegjitimuar”, tha Sefa.
Akuza këto që u kundërshtuan nga përfaqësuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“Si mundet të dëgjojmë një koleg që ende partinë e prezumuar nga ai, se është përfaqësues i saj nuk ka ndjekur hapat që ligjvënësi i ka vënë për t’u regjistruar”.
Kryekomisioneri Celibashi regjistroi dhe koalicionin “Aleanca Liberale”, për të cilën PD e drejtuar nga Alibeaj kërkoi mos regjistrimin e tij.
Klan News