Thirrje partive: Procesi i numërimit të pritet me qetësi

Pasi përfundoi procesi i votimit, tashmë radha i kalon lëvizjes së kutive drejt qendrave të numërimit dhe numërimit të fletave të votimit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri thirrje që edhe kjo fazë të kryhet në përputhje me Kodin Zgjedhor për të mos cënuar integritetin e procesit. Ai theksoi se për të mësuar rezultatin e partive do të duhen 48 orë.

Celibashi i bëri thirrje partive politike që ta përcjellin me qetësi procesin e numërimit pasi askush nuk e di kush i ka fituar zgjedhjet. Kryekomisioneri apeloi që të mos bëhen deklarata para kohe.

“I bëj thirrje partive që procesi në vijim ta përcjellin me qetësi. Askush nuk e di kush i ka fituar zgjedhjet, të presin si do shkojë numërimi. Çdo deklarim i bërë pa nisur fare procesi i numërimit nuk do t’i shërbente qetësisë së nevojshme të këtij procesi. Shpresoj që lidershipi politik ta ketë koshiencën për të kuptuar se ka nevojë për shumë qetësi në këtë moment, për të krijuar kushtin e punës së qetë për komisionerët dhe numëruesit.

KQZ ka marrë masat që procesi të përfundojë brenda 48 orëve për partitë dhe koalicionet dhe pastaj do të vazhdojmë me rezultatin e kandidatëve. Ajo që ka rëndësi të them është fakti që këtë moment duhet ta përcjellim me qetësi dhe natyrshëm secili prej nesh e ka kuriozitetin se kush e ka fituar, duhet pak durim dhe brenda 48 orëve do ta dimë kush është fituesi i këtyre zgjedhjeve”, tha Celibashi.

Kryerkomisioneri Ilirjan Celibashi, në mbyllje të orarit zyrtar të procesit të votimit, vlerësoi se ky proces ishte i qetë dhe i sigurt.

“Ligjërisht procesi i votimit konsiderohet i mbyllur, përjashtuar rastet që në qendrat e votimit ka ende qytetarë në radhë. Sipas Kodit Zgjedhor, do të duhet që të merren emrat dhe dokumentet e identifikimit të atyre që janë akoma në radhë dhe vetëm ata do të lejohen për të votuar. Ndoshta është shumë herët për të bërë një konkluzion në lidhje me ecurinë e këtij procesi zgjedhor, në tërësinë e tij dhe në të gjitha aspektet e tij, por të paktën nga informacionet e KQZ, mund të thuhet që ky proces u karakterizua nga qetësia dhe siguria dhe integriteti i tij si proces. Natyrshëm që nuk mund të shpëtonim nga disa episode dhe pretendimet që tashmë janë bërë të zakonshme dhe që palët në atë tensionin për rezultatin, shpesh i sjellin të amplifikuara dhe shqetësime dhe problematika thjeshtë dhe vetëm të karakterit teknik… por në përgjithësi mund të thuhet që ishte një proces votimi në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

Celibashi e konsideroi sukses procesin e identifikimit elektronik.

“Dua të pranoj që ka qenë një tension i madh në KQZ në lidhje me ecurinë e procesit të identifikimit elektronik, për faktin se ishte një proces shumë i vështirë nga shumë pikëpamje dhe u realizua në një kohë mjaft të shkurtër, pa një rast të dytë të paktën në dijeninë time sa i përket kohës, të përgatitjes dhe cilësisë së këtij procesi. Në tërësi për procesin e votimit edhe për atë sesi procesi në veçanti i votimit elektronik është herët, por gjithsesi disa konkluzione të përgjithshme mund t’i themi dhe bazuar në disa informacione paraprake që i kemi. Janë rreth 167 qendra votimi në të cilat nuk është përdorur pajisja e identifikimit elektronik. Në 86 prej tyre nuk është përdorur sepse nuk janë paraqitur operatorët dhe në pjesën tjetër për shkak të problematikave dhe pamundësisë së operatorëve për ta përdorur pajisjen. Por në vlerësimin tim mendoj që ky projekt mund të konsiderohet një projekt me sukses të plotë”./tvklan.al