Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje subjekteve zgjedhore që të dorëzojnë brenda afateve dhe jo në momentin e fundit dokumentacionin e kandidimit për kandidatët e tyre.

Celibashi bën thirrje dhe kërkon që të vlerësohet situata e pandemisë për t’i dhënë mundësi KQZ-së që të përpunojë dokumentacionet në përputhje me protokollet shëndetësore.

“Ju bëj thirrje subjekteve zgjedhore të dorëzojnë brenda afateve & jo në momentin e fundit dokumentacionin e kandidimit. Të vlerësojnë situatën e pandemisë & tí japin mundësi administratës së KQZ të përpunojë/administrojë dokumentacionin në përputhje me protokollet shëndetësore”, shkruan Celibashi në Tëitter.

Ai e shoqëronte deklaratën e tij me një tjetër postim të disa ditëve më parë, ku bënte thirrje për dorëzimin e listave me figura me integritet.

“Mbeten dhe pak ditë nga data 8 Mars, që është edhe afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet për çdo qark. Inkurajoj partitë politike të zgjedhin kandidatura me integritet dhe që plotësojnë kriteret ligjore për të qenë përfaqësues të shqiptarëve”, shkruante Celibashi.

Deklaratat e Komisionerit Shtetëror i mbështeti Presidenti Ilir Meta. Ai bëri thirrje për pjesëmarrjen e sa më shumë partive dhe sa më shumë kandidatëve me integritet të lartë moral.

“Mbështes plotësisht thirrjen e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, drejtuar partive politike, për të dorëzuar brenda afateve listat e kandidatëve. Sa më shumë parti, sa më shumë zgjedhje të ndryshme për qytetarët, sa më shumë kandidatë me integritet të lartë moral e qytetar dhe të pakapur nga dekriminalizimi, do të thotë më shumë mundësi për një pjesëmarrje historike në referendumin e 25 prillit për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Më datë 8 Mars është dita e fundit kur partitë duhet të dorëzojnë listat shumëemërore të kandidatëve për deputet./tvklan.al