Mbi 1 milion e gjysmë banorë del t’i ketë Kosova sipas të dhënave paraprake të regjistrimit të popullsisë të Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Krahasuar me vitin 2011 del të ketë një tkurrje të popullsisë për 8%. Deri më tani janë regjistruar edhe 600 mijë banorë jorezidentë.

Kryeministri Albin Kurti tha se realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më me prioritet të qeverisë gjatë këtij viti.

“Përgëzime për Agjencinë e Statistikave të Kosovës që ka zbatuar standarde ndërkombëtare. OKB do të vazhdojë që të investojë në këtë drejtim”, tha Arnhild Spence, koordinatore për zhvillim e OKB-së.

Nga 38 komuna të Kosovës, 9 prej tyre kishin rritje ku prin Fushë Kosova ndërsa 29 të tjera kishin zvogëlim të numrit të popullsisë. Krahasuar me vitin 2011 mosha mesatare është rritur për 4 vjet.

Sa i përket regjistrimit të komunitetit serb, ASK tha se procesi u bojkotua në masë të madhe në 4 komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Rezultatet përfundimtare të procesit do të publikohen ne dhjetor të këtij viti.

Tv Klan