E ftuar në programin “Rudina”, në TV Klan këtë pasdite ishte përfaqësuesja e shoqërisë civile, Edlira Çepani. Në lidhje me vetëizolimin, ajo u shpreh se momente të tila të bëjnë të kuptosh vërtet sesi ta shpenzosh kohën dhe cilat janë prioritetet.

Më tej, Çepani shton se ky duhet të jetë për të gjithë një moment reflektimi.

Edlira Çepani: Në momentin që filloi kjo karantinë, na u duk sikur gjithçka do shkonte keq, sikur do merrte fund gjithçka. Në fakt, njeriu fillon dhe shijon ato pjesët që i ka lënë pas dore herë pas here, kohën më të madhe me familjen, me veten dhe me gjithë të tjerët. Por nga ana tjetër, ajo që më ka lënë mua të kuptoj është që ato gjëra që duam t’i bëjmë mirë, është t’i bëjmë sa kemi kohë sepse shpesh ne mendojmë se kemi kohë. Ja të bëjmë edhe këtë, shtyjmë takimet me miqtë se na del ndonjë punë, shtyjmë takimet me prindërit se na del ndonjë punë dhe pastaj vijnë momentë të tilla kur kuptojmë se ato gjërat e mira që duhet të bënim, me ata njerëzit me të cilët duhet realisht të shpënzonim kohë, atyre njerëzve qe realisht duhet t’ju jepnim prioritet nuk ju kemi dhënë prioritet aq sa duhet. Dhe tani unë shpresoj që të jetë për të gjithë një moment reflektimi, se çfarë prioritetesh duhet ti vëmë vetes në vijim, edhe në punë, edhe në familje, por edhe në jetë në përgjithësi. Dhe mënyrën si e trajtojmë botën, por edhe ambientin që na rrethon dhe gjithë të tjerët./tvklan.al