Kundërshtarët e akuzojnë për tradhti ndaj Republikes

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është vënë në qendër të kritikave nga të dyja krahët e politikës pasi mori pjesë në një ceremoni hebraike brenda rezidencës së tij zyrtare, Pallati Elize.

Në një vend ku ndarja e fesë nga shteti është mjaft e rëndësishme, ndezja e qiririt për festën hebraike Hanukkah brenda sallës historike të Festivalit të enjten u kritikua menjëherë nga politikanët e së majtës dhe së djathtës, të cilët e akuzuan atë se ka tradhtuar Republikën e Francës.

Presidenti Macron e kishte ftuar kryerabinin, Haimm Korsia, për ta ndezur qiririn e parë nga tetë qirinjtë në Hanukkah, apo shandan, për te shënuar fillimin e festivalit hebraik të dritës.  Por, kur videoja e ceremonisë u shfaq në rrjetet sociale, kritikat shpërthyen nga të gjitha anët. Për francezët, presidenti kishte bërë një gabim turpërues duke e lejuar futjen e fesë brenda presidencës laike.

“Më sa di unë, kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Kjo është shkelje e laicizmit”, tha David Lisnard, një figure e lartë opozitare nga krahu i djathtë, i cili është edhe kryetar i Kanës.

“Elize nuk është vend i fesë. Nuk mund të bësh kompromis me laicizmin”, tha presidentja socialiste e rajonit Oksitania, Carole Delga.

“A do ta bëjë tani Macroni të njëjtën gjë edhe për fetë e tjera? Për disa po, për disa jo? Kjo është lëvizje e rrezikshme”, tha Alexis Corbiere nga ekstremi i majtë Franca e Papërkulur.

Ndërkohë që si për të qetësuar kritikat, kreu i Elizesë zhvilloi të premten një vizitë të papritur në kantierin e rindërtimit të katedrales Notre-Dame, nga ku ftoi Papën që vitin tjetër ta inaugurojnë së bashku. Duke folur për mediat ai tha se nuk ishte penduar për ndezjen e qiririt dhe se ftesa e tij për kryerabinin ishte bërë “në frymën e Republikës dhe të pajtimit”.

Ideja e laicizmit u fut në ligjin francez më 1905, pas shumë vitesh mosmarrëveshjesh mes shtetit dhe Kishës Katolike Romake. Ligji garantoi lirinë e besimit, por i dha fund përfshirjes shtetërore në kishë dhe i largoi të gjitha shenjat e fesë nga ndërtesat publike.

Tv Klan